Vendimi për hapjen e urës së Ibrit nxit reagimet e Beogradit dhe Listës Serbe

Asamblistët e Mitrovicës Veriore kanë votuar një vendim, me të cilin duhet të hapet për qarkullim të automjeteve ura qendrore mbi lumin Ibër, e cila prej pas lufte është mbyllur nga serbët. Beogradi zyrtar ka reaguar menjëherë, e Lista Serbe ka kërcënuar me trazira.
Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka vendosur që ura qendrore e lumit Ibër, të hapet për qarkullimin e automjeteve dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Ura mbi lumë, në veri të të cilit ndodhet komuna me shumicë serbe, që nga paslufta është e mbyllur për qarkullim të automjeteve.

Kryesuesi i Kuvendit, Nexhat Ugljanin, i tha KOHËS se vendimi për lirinë e lëvizjes do t’u dërgohet strukturave të sigurisë, në mënyrë që të vihet në zbatim.

“Ne po duam lëvizjen e lirë sepse kushtetutshmëria e çdo shteti, pa marrë parasysh rajonin, garanton lëvizjen e lirë dhe ne sipas rregullores dhe punës ligjore, po i kryejmë punët tona”, tha Ugljanin.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Beogradit zyrtar, që insiston ta mbajë qytetin të ndarë, pavarësisht marrëveshjes së Brukselit për ta rivitalizuar urën.

“Lideri okupator Albin Kurti mori vendim për hapjen e një ure që prej kohësh ka qenë digë për sigurinë e serbëve, që të mos e marrin shqiptarët Mitrovicën. Për shumë vite populli ynë kundërshtonte dhe pyeste pse po e bën këtë. E vetmja gjë që dëshiron është të dëbojë njerëzit tanë dhe dëshiron konflikte”, deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lista Serbe, e cila mban lidhje të forta me Beogradin, kërkoi nga autoritetet ndërkombëtare që të mos lejojnë zbatimin e vendimit për hapjen e urës.

“Kërkojmë që KFOR-i, EULEX-i dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare urgjentisht të pengojnë zbatimin e këtij vendimi, dhe të japin hapësirë ​​për zgjidhjen e çështjeve të hapura në dialog dhe në këtë mënyrë të ruajnë paqen në këto fusha”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

E kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës veriore tha se nuk frikësohet nga kërcënimet e serbëve që janë lansuar pas vendimit për urën. Ai ka paralajmëruar edhe vendime të tjera.

“Vendimi që do të merret shumë shpejt, është për ndërtimin e objektit fetar, religjionin mysliman, xhamia pra ku ka qenë. Ne vetëm po kërkojmë atë që ishte”, tha Ugljanin.

Rivitalizimi i urës mbi lumin Ibër, ka qenë temë diskutimi në dialogun e zhvilluar mes Kosovës dhe Serbisë. Dakordimi për t`u hapur për qarkullim nuk është zbatuar deri më tani, derisa ura ishte e hapur vetëm për kalimin e këmbësorëve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu