Veterani dhe invalidi i luftës së UÇK-së, Nuhi Tahiri, ka reaguar lidhur me incidentin e ndodhur gjatë protestës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Tahiri ka treguar versionin e tij për ngjarjen, duke thënë se kishte marrë pjesë në protestë së bashku me një grup shoqëror për të shprehur mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së.
Sipas tij, gjatë protestës një person iu ishte afruar dhe u kishte thënë se nuk mund të kalonin në një pjesë tjetër të hapësirës. Tahiri pretendon se më pas ndaj tyre janë përdorur edhe fjalë fyese.
Ai ka thënë se i ishte drejtuar personit për t’i kërkuar që të mos e pengonte, por situata, sipas tij, u përshkallëzua pas fyerjeve dhe një kërcënimi të pretenduar.
Tahiri ka pranuar se në atë moment e kishte humbur kontrollin dhe kishte reaguar në mënyrë të papërshtatshme.
“Dua t’i kërkoj falje protestuesve për reagimin e pamatur”, ka shkruar Tahiri.
Në fund të reagimit, ai ka shprehur respekt për të gjithë pjesëmarrësit në protestë dhe ka kërkuar falje për mënyrën se si reagoi gjatë incidentit.










