Dy partitë e koalicionit qeveritar Bashkimi Demokratik për Integrim dhe OBRM-PDUKM-ja do të presin afatin e fundit që skadon ditën e premte për të publikuar emrat e kandidatëve për deputetë. Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani, tha se pas konsultave me përfaqësuesit e degëve, kryetari i partisë Ali Ahmeti, të premten do të prezantojë emrat e kandidatëve për deputetë të BDI-së.
“Planifikohet që të premten më 11 nëntor të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm dhe aty të diskutohen emrat për të përpiluar listat, pasi edhe afati i fundit për është 11 nëntori dhe besoj që pasditen e së premtes do të bëhen publike dhe do të dorëzohen tek KSHZ-ja. Natyrisht se do të ketë shumë risi në këto lista, do ketë edhe kontinuitet për të mbajtur konzistencën politike” deklaroi zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani.
Partia shqiptare në pushtet paralajmëron se në listat e deputetëve do të përfshihen edhe kandidat të rinj por zëdhënësi Bujar Osmani nuk ka zbuluar asnjë emër përveç kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti për të cilin thotë se do ti prijë listës në njësinë e gjashtë.
Ndërkohë, përmes një përgjigje me shkrim zëdhënësi i OBRM-PDUKM-së Ivo Kotevski, ka thënë se listat e kandidatëve të kësaj partie do të dorëzohen në KSHZ në afatin e paraparë ligjor duke lënë të kuptohet se për një gjë të tillë do të presin afatin e fundit që është 11 nëntori.
Sipas të gjitha gjasave bartësit e listave të OBRM-PDUKM-së do të jenë kandidatët që ishin caktuar për zgjedhjet e 5 qershorit. Kryetari i këtij subjekti Nikolla Gruevski, pritet të garojë në njësinë e parë zgjedhore ku do të ballafaqohet me Stevo Pendarovskin e LSDM-së. Ndërsa në njësinë e katërt, përballë liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev, do të garojë ministri i Shëndetësisë Nikolla Todorov.
Në njësitë tjera, listave të partisë maqedonase në pushtet në zgjedhjet e 11 nëntorit do ti prijnë ministri i Jashtëm Nikolla Popovski, deputeti Ilija Dimovski, Antonio Milloshovski dhe Vllatko Gjorçev. /Lajmpress/