“Nëse partitë politike arrijnë të merren vesh dhe të arrijnë konsensus të përgjithshëm që vendi të jetë një njësi zgjedhore, VMRO-DPMNE nuk do të ketë problem ta mbështesë atë zgjidhje”, deklaroi deputeti Antonijo Milloshoski.
Ai rikujtoi se partia edhe në bisedimet e kaluara e ka përfaqësuar këtë qëndrim, i cili atëherë është ndarë edhe nga subjekte të tjera politike, por deri te marrëveshja nuk erdhi për shkak të propozimeve të kundërta nga disa parti.
“Ne edhe në bisedimet e mëparshme si VMRO-DPMNE e shprehëm qëndrimin tonë se jemi për një njësi zgjedhore dhe më shumë parti e ndanin këtë qëndrim. Por, për fat të keq, dy-tri opsione politike ishin kundër – disat propozuan tetë njësi zgjedhore, një parti tjetër politike propozoi tre njësi zgjedhore, ndërsa BDI propozoi prag të lidhur prej pesë përqind si kusht për një njësi zgjedhore. Ishte e dukshme se është e vështirë të arrihet konsensus. Nëse arrihet konsensus, ne nuk kemi asnjë problem që të ketë një njësi zgjedhore”, theksoi Milloshoski. (INA)










