Vuçiç braktis dialogun, ia “kalon topin” qeverisë: Unë nuk firmos, por Bërnabiç

Në bisedimet Kosovë -Serbi, që zhvillohen në Bruksel, drejtuesit e delegacioneve janë Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç. Por, mediat në Kosovë thonë se ka disa elemente që tregojnë se protagonistët e dialogut mund të ndryshojnë. Vuçiç duket ka dhënë sinjale se frerët e bisedimeve tani mund t`i marrë besnikja e tij e bindur, kryeministrja Ana Bërnabiç.

Për këtë mundësi u pyet në CNN dhe Kryeministri Albin Kurti, ku edhe dha opinionin e tij. Në dialogun Kosovë-Serbi mund të ndryshojë përfaqësimi, nëse mund të konsiderohen të sakta sinjalet që Vuçiç dha nga Nju Jorku të mërkurën mbrëma. Presidenti serb bëri një paralajmërim të çuditshëm duke thënë se ai vetë, nuk do të pranojë kurrë që Kosova të bëhet pjesë e OKB’së.

Sipas tij, Qeveria e Serbisë mund ta bëjë një gjë të tillë, por ai si president nuk do të nënshkruajë. Në këtë mënyrë, Vuçiç ia kalon topit ekzekutivit, duke e bërë papritur pjesë të lojës së dialogut edhe pse Kryeministrja atje nuk ka peshë politike dhe varet ekskluzivisht nga presidenti. Në të kaluarën, kur Iviça Daçiç ishte në krye të Qeverisë së Serbisë, ishte pikërisht ai që nënshkruante me Kosovën marrëveshje ne Bruksel. Pastaj me OK-in e Vuçiç, dialogu kalonte aty ku ishte ai, në Kryeministri apo Presidencë.

Mundësia që Bërnabiç, thotë shtypi ne Kosove, të marrë rol në dialog dhe të takohet me Kurtin është përmendur edhe në CNN nga gazetarja Christianne Amanpour, e cila e pyeti Kurtin nëse Kryeministrja serbe mund të jetë partnerja për marrëveshje. Ai thotë se ka shpresa për një marrëveshje Kosove-Serbi, pasi sheh kohët e fundit angazhim shumë më të madh të SHBA-së dhe BE-së për këtë çështje.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu