Presidenti Serb, Aleksandar Vucic, ka dekluar se ai do marrëveshje dhe kompromis me Kosovën, transmeton Gazeta Metro.
Vucic në një intervistë ekskluzive për Klan Kosova e ka pranuar që momentalisht raportet mes shtetit të tij dhe Kosovës nuk janë në pikën më të mirë dhe ka folur në lidhje me atë se çfarë po ndodh me dialogun.
“Raportet në mes të Beogradit dhe Prishtinës nuk janë të mira sepse kemi qëllime dhe interesa të ndryshme. Unë mendoj që ose do ta kuptojmë njeri-tjetrin dhe përmes kompromisit të vijmë deri tek zgjidhja dhe kjo është që njëra anë të pranojë atë që dëshiron vetëm ajo dhe kjo nuk do të ndodhë kurrë. Ose do të kemi zgjidhje kompromisi, ose do ta shkatërrojmë njëri-tjetrin dhe njerëzit ta braktisin hapësirën ku jetojnë”.
“Sa i përket Serbisë ne jemi të gatshëm për zgjidhje kompromisi. Shqiptarët në Kosovë le të mendojnë për këtë”.
“Unë kurrë nuk kam folur për Preshevën, Bujanocin apo Medvegjën. Duhet të kuptojmë që territori që është kontestues është Kosova dhe gjysma e shteteve të botës nuk e kanë njohur. Nëse mendojnë se janë shtet i pavarur atëherë kjo është fund i gjithçkaje”.
“Sa i përket raporteve në mes të Beogradit dhe Prishtinës, nëse s’doni kompromis, s’ka problem por na bëni me dije dhe ne do të jemi në rregull e do të jetojmë kështu. Ne e kemi situatën më të mirë se ju dhe do të thoja me një autoritet më të lartë në komunitetin ndërkombëtar se sa ju. Më vjen keq por kjo është zgjedhja juaj dhe s’ka problem rreth kësaj”.
“Unë jam për një zgjidhje kompromisi dhe të gjithë këtë e kuptojnë, por të gjithë shtiren sikur janë budallenj në të gjitha anët”.










