Zaev: Për Bashkimin Demokratik për Integrim kam thënë “nuk vlejnë 5 pare”, jo për shqiptarët

Duke komentuar audio përgjimin e publikuar sot në internet, ku dëgjohet të thotë se shqiptarët nuk vlejnë 5 banka, kreu i LSDM-së Zoran Zaev deklaroi për TV21 se nuk e ka pasur fjalën për shqiptarët por për partinë shqiptare në pushtet, Bashkimin Demokratik për Integrim.

“Bashkimi Demokratik per Integrim nuk vlen pesë pare në tregun e votimit. Ky është qëndrimi im, ky ishte qëndrimi im edhe atëherë, nga koha kur është regjistruar biseda dhe publikuar sot. Kishte 20 deputetë dhe pati rënje në 10 deputetë, në këto zgjedhje do të ketë edhe më pak”, tha për TV21 kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Zaev shtoi se është i pari që ka bërë koalicion me një parti politike shqiptare dhe se me shqiptarët është i lidhur familjarisht.

“Unë kam treguar dhe kam dëshmuar dashurinë time për shqiptarët. Jo vetëm fjalë por vepra. Sollëm Ligjin për Gjuhët, ne kujdesemi për të gjithë komunitetet, unë kam qenë i pari që ju kam bërë thirrje maqedonasve që të votojnë për Shqiptarët dhe Shqiptarët për Maqedonasit, për herë të parë unë kam hapur partinë për shqiptarët në funksione të larta, unë kam qenë i pari që kam bërë koalicion parazgjedhor me një parti politike shqiptare dhe jam i lidhur familjarisht me shqiptarët, unë jam kumbar i Muhamed Zekirit dhe kjo për mua është një gjë shumë e madhe”.

Zaev tha se i gjithë publiku e ka dëgjuar se ai nuk ka thënë asnjë fjalë fyese për shqiptarët, por këtë e ka bërë bashkëbiseduesi.

“I gjithë publiku dëgjoi se unë nuk kam thënë asnjë fjalë që t’i fyej bashkëqytetarët e mi shqiptar, por kjo është ajo çka bën bashkëbiseduesi në bisedën e përgjuar”, u shpreh Zaev.

Përpjekjet e këtilla të ulëta nuk do të më ndalojnë të mos e vazhdoj konceptin një shoqëri për të gjithë, tha Zaev duke shtuar se përkundrazi do të vazhdojë me këtë koncept duke respektuar të gjithë bashkësitë etnike.

“Një përpjekje e tillë dhe e ulët nuk do të më dekurajojë që të heq dorë nga koncepti “një shoqëri për të gjithë, për të cilën unë jam udhëheqës. Përkundrazi unë do të vazhdoj ta bëj edhe më tej, duke respektuar të gjithë bashkëqytetarët e mi dhe të gjithë bashkësitë e tjera etnike”, potencoi Zaev.

Zaev në fund tha se më 27 prill me jetën e tij ka mbrojtur jetën e Talat Xhaferit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu