Zyrtarisht BDI kandidon Hekuran Dukën për zgjedhjet lokale në Dibër

Zgjedhjet Lokale në Dibër, kësaj here të jashtëzakonshme për shkak të vdekjes së ish-kryetarit Lata, po afrojnë dhe do zhvillohen në të njejtën datë me zgjedhjet presidenciale, shkruan InfoShqip.

Pas zyrtarizimit të kandidaturës së Aleancës për Shqiptarët e cila gjeti edhe mbështetjen e Lëvizjes BESA me kandidat Arben Agollin, sot zyrtarisht edhe Bashkimi Demokratik për Integrim ka zgjedhur kandidatin e saj për këto zgjedhje, Dr. Hekuran Dukën i cili aktualisht është ushtrues detyre në postin e Kryetarit të Komunës në Dibër.

Duka është mjek urolog, lindur dhe rritur në Dibër ku edhe ka kryer arsimin fillor dhe të mesëm, studimet universitare i ka ndjekur në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi në Shkup. Që nga viti 1994 deri në vitin 2001 ka shërbyer si mjek pranë spitalit të Dibrës dhe në fshatrat e qytetit. Në vitin 2005 specializohet me titullin ”Kirurg Specijalst – Urolog”. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 ishte pjesë e listave për këshilltarë ku edhe u zgjodh si i tillë në Kuvendin Komunal të Dibrës.

Pos kandidatit pë kryetar, BDI ka zgjedhur edhe shefin e shtabit zgjedhor rol i cili i’u besua drejtorit të qendrës për kulturë në Dibër, Artin Spahiut.

Akoma nuk dihet nëse BDI në këto zgjedhje do garojë e vetme apo do ketë përkrahje nga partnerët e koalicionit qeveritar./InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu