ASH-ja në Qeveri, Neziri: Do të rezultojë me një Kuvend më të qëndrueshëm dhe situatë më të qetë politike

Lidhur me kyçjen e mundëshme të Aleancës për Shqiptarët (ASH) në Qeveri, analisti politik Xhelal Neziri vlerëson se nuk ka dallime programore, por se problemi është vetëm tek ndarja e pushtetit.

“Ka shumë partnerë me oreks të madh, interesa partiake dhe individuale. Partitë e vogla politike e bëjnë qeverinë të duket si një kopsht fëmijësh, ku të gjithë luftojnë për hapësirë dhe vëmendje. Është e kuptueshme që me hyrjen e ASh-së, pesha e tyre nuk do të jetë e njëjtë, ndaj po bëjnë gjithçka që kjo të mos ndodhë. Mirëpo, në gjithë këtë zhurmë, fokusi nuk është në sfidat me të cilat do të përballemi këtë vit – nga ndryshimet kushtetuese e deri te realiteti gjeopolitik”, ka deklaruar analisti Xhelal Neziri për portalin “Lokalno”, përcjell PRESSonline.mk

Neziri nuk ka dyshim se hyrja e ASH-së në Qeveri do të rezultojë me një Kuvend më të qëndrueshëm dhe një situatë më të qetë politike.

Vendi nuk ka nevojë për një krizë tjetër, e cila monitorohet pikërisht për shkak të matematikës që rrethon mazhorancën parlamentare. Ajo që i duhet vendit është një Parlament funksional, një dialog i shëndoshë dhe i hapur mes qeverisë dhe opozitës për të përcaktuar agjendën evropiane dhe më konkretisht për të zbatuar reformat”, thekson Neziri.

Vetëm me Aleancën, thotë ai, nuk do të arrijë 80 deputetët e nevojshëm për ndryshimet kushtetuese, por dilema nëse do të krijohet një shumicë e re që vendi të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare në një vit kur ato janë më pak të nevojshme, hiqet.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu