Barça do të ndërtojë një muze të Messit për të mbledhur fonde për rikthimin e tij

Në përpjekjen e fundit për të rikthyer Lionel Messin në klub, Barcelona thuhet se po planifikon një muze të dedikuar për të mbledhur fonde transferimi. Kjo është ndoshta lëvizja më e përfolur e për transferimin e verës.

Me vetëm pak muaj të mbetur nga kontrata e Messit me Paris Saint-Germainin dhe klubi parisien thuhet se është i lumtur ta lërë të shkojë, një rikthim në klubin e tij të fëmijërisë duket të jetë gjithnjë e më shumë në plan.

Ndërsa Messi mund të ketë disa klube të tjera evropiane të nivelit elitar që “luftojnë” për nënshkrimin e tij, rruga e kthimit në Barça nuk është plotësisht e qartë, duke pasur parasysh situatën delikate ekonomike në të cilën gjenden katalunasit.

Pasi u raportua se presidenti i La Ligës, Javier Tebas ishte në pritje të një “plani fizibiliteti” për të rikthyer Messin, gazeta spanjolle “AS” ka zbuluar një mënyrë në të cilën mund të arrihet ky financim.

Mendohet se ka plane për të kthyer selinë e vjetër të akademisë së famshme të të rinjve, La Masia, e vendosur pranë “Camp Nou”, në një muze kushtuar heroit të tyre argjentinas.

Bisedimet thuhet se kanë filluar tashmë me kompaninë e telekomunikacionit “Telefonica” për ta bërë atë realitet.

Ideja në parim është që “qendra interaktive dhe zhytëse” do të tërheqë mijëra turistë dhe tifozë, duke gjeneruar kështu të ardhura të qëndrueshme në mënyrë që të jetë në gjendje të financojë nënshkrimin e yllit të PSG-së.

Nëse këto shifra bien brenda kufijve të përcaktuar së fundmi nga presidenti i La Ligas, Tebas, atëherë shefi i kampionatit spanjoll ka të ngjarë të miratojë transferimin duke pasur parasysh të ardhurat e dukshme tregtare, domethënë në të drejtat televizive, që ylli argjentinas sjell në ligë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu