Çfarë po ndodh në Kosovë – brenda 10 ditësh vriten 9 persona

Rruga pranë parkut të qytetit në Prishtinë ka qenë skena e ekzekutimit të nëntë në Kosovë, brenda 10 ditëve. Motivet e secilit prej këtyre krimeve dallojnë njëra prej tjetrës. Hakmarrja, përfitimi i pasurisë e deri tek motivet banale dyshohet të jenë shkas për këto ngjarje, secila më kritike se tjera.

Prishtinasit Eron Agaj dhe Arianit Gashi janë qëlluar disa herë me armë zjarri derisa me skuterët e tyre, po bënin xhiro në afërsi të parkut të madh të kryeqytetit.

21 vjeçari Agaj ndërroi jetë me të mbërritur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa shoku i tij Gashi vazhdoi luftën për jetë në sallën e operacionit në qendrën emergjente, deri pasdite. Rreth orës 16:30 u njoftua edhe vdekja e tij, përkunder përpjekjeve të mjekëve.

Vdekjen e dy të rinjve e kanë konfirmuar për Gazetën Express Policia dhe zyra për informim e QKUK’së.

Burime të Gazeta Express brenda Policisë treguan se i dyshuari për krimin e të hënës në mesditë është një shtetas nga Shqipëria.

Derisa, zyrtarisht zyra për informim e PK’së ka njoftuar se janë vënë në kërkim të tij.

Eron Agaj është viktima e nëntë nga 4 vrasje që kanë ndodhur së fundi në Kosovë. Dy prej këtyre vrasjeve u kryen me thika ndërsa dy tjerat me armë zjarri dhe për qëllime nga më të ndryshmet. Hakmarrja, përfitimi i pasurisë e deri tek motivet banale dyshohet të jenë shkas për këto ngjarje, secila më kritike se tjera.

20 vjeçari Sami Rexhaj mbeti i vrarë me thikë, dhjetë ditë më parë, afër banesës së tij në Ferizaj. Dorasi mbetet i panjohur për policinë.

Vëllezërit Valon dhe Ali Islamaj (35 e 28 vjeç) dhe Zef Krasniqi (37 vjeçar) u vranë të martën që shkoi në Çarshi të Gjakovës. Dy të dyshuarit kryesorë për vrasjen e trefishtë, Qëndrim Shala dhe Veton Gjoshi (rreth 25 vjeçarë), vazhdojnë të jenë në arrati.

Vrasja dyshohet se ndodhi për motive hakmarrjeje, e i kishin paraprirë edhe shumë konflikte të mëhershme gjatë 16 viteve të fundit.

Dy ditë pas, mbrëmjen e së enjtes, dy vëllezër tjerë nga Shaptej i Deçanit u qëlluan me plumba derisa kishin hyrë të parandalonin një konflikt mes dy kushërinjve, banorë të fshatit të tyre. Policia arrestoi dy të dyshuar, babë e birë Sali e Durim Lushaj për vrasjen Rexhep Ramaj e Burim Ramaj (48 vjeç e 34 vjeç).

Ndërsa të premten mbrëma, një grua e moshuar serbe u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në Shtërpcë. Vrasja e saj ishte kryer me thikë. Polica e arrestoi një tjetër serbe nga Kosova për vrasjen e 80 vjeçares, që dyshohet se u krye me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.

10 ditë e fundit ndoshta kanë qenë më të pasigurtat në vend, gjatë viteve të fundit. ‘Java e vrasjeve’ ka çuar në 24 numrin e vrasjeve në Kosovë. Nga statistikat, e publikuara në fundjavë në media, del se vetëm në gusht janë kryer vrasje më shumë sesa gjysma e totalit të tyre gjatë pjesës së parë të këtij viti. Deri në korrik, numri i personave të ekzekutuar ka qenë 15.

Krahasuar me vitin që lamë pas numri i krimeve me fatalitet është dyfishuar. Gjatë gjithë vitit 2015 në Kosovë, sipas të dhënave vjetore të Policisë, ishin kryer vetëm 11 vrasje.

Gjilani ka qenë qyteti më i qetë në këtë aspekt, por jo njëjtë komunat e vogla që bëjnë pjesë në regjionin e saj. Në gati 1 vit e gjysmë, në qytetin më të madh të Anamoravës s’është shënuar asnjë vepër e tillë fatale. /GazetaExpress/.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu