Demiri: Maqedonasit të kenë mirëkuptim për 20%-in, Kovaçevski: Për ardhmërinë europiane duhet të kemi konsensus politik

Lëvizja Besa do të votojë pro ndryshimeve kushtetuese, por kërkojnë që të hiqet 20% nga kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, që i referohet shqiptarëve. Sekretari i përgjithshëm i Besës Avdush Demiri thotë se nuk bëjnë politikë kushtëzuese, por kërkon që të gjitha palët të kenë mirëkuptim që kjo çështje të zgjidhet njëherë e përgjithmonë.

Ne nuk e kuptojmë politikën me kushtëzime. Ne e kuptojmë politikën me dialog dhe të arrihen vendime dhe qëndrime të cilat do të jenë në interes të qytetarëve dhe si e tillë edhe iniciativa e jonë është që ky vendim nuk rrezikon askënd dhe kërkojmë mirëkuptim të bashkëqytetarëve tanë maqedonas pasi që edhe ata janë testuar me këtë çështje se ky term nënçmues përfundimisht duhet të largohet nga kushtetuta e Maqedonisë së Veriut “, tha Avdush Demiri nga Lëvizja Besa.

Edhe kryeministri Kovaçevski tha se në këto momente kur bëhet fjalë për ardhmërinë e vendit, ineteresat partiake duhet të lihen anash.

“Asnjë parti politike, asnjë politikan nuk duhet që ardhmërinë europiane dhe vendimet që duhet të merren të kushtëzohen me interesa të imta partiake të cilat mund të shkojnë vetëm në favor personal të dikujt, sepse pas këtij vendimi, do të ketë vendime tjera. Dhe imagjinoni që për çdo vendim dikush të shantazhojë, për ndonjë lloj interesi personal”, pohoi Dimitar Kovaçevski – kryeministër .

Kovaçevksi foli edhe për atë se pese është e rëndësishme që të votohen ndryshimet kushtetuese.

“A ishte për ne e imagjinueshme që bashkëqytetarë tanë të shkojnë të punojnë në Çeki në Sllovaki, apo Poloni për rroga më të larta?! Ajo ishte e paimagjinueshme, por sot është, sepse si anëtarë të BE-së edhe Polonia edhe Çekia, Hungaria, Sllovakia të gjitha ato kanë rroga më të larta për shkak se janë pjesë e tregut të përbashkët europian”, tha Dimitar Kovaçevski – kryeministër .

Tani për tani VMRO-DPMNE dhe Levica janë partitë të cilat janë deklaruar se nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese, megjithatë nga pushteti shprehen optimistë se do t’i sigurojnë votat prej 2/3.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu