Gjobë rreth 5 mijë euro! Inspektorati i Tregut gjobit 4 kompani për çmimin e bukës

Inspektorati i Tregut ka gjobitur 4 kompani, 3 nga Shkupi dhe 1 nga Kumanova për shitjen e bukës me çmim më të lartë se 33 denarë. Aleksandra Koteli nga Inspektorati tregoi se gjobat janë shumë të larta me mbi 300 mijë denarë.

“Në këto kontrolle janë bërë 4 procesverbale me parregullsi të konstatuara, janë shqiptuar gjoba prej mbi 300.000 denarë. Siç e kam përmendur edhe më parë gjobat janë shumë të larta, sipas ligjit për tregti dhe ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve, ku variojnë nga 500 deri në 10.000 euro për person juridik ose nga 50 deri në 500 euro për person përgjegjës në personin juridik”, tha Aleksandra Koteli, ISHT.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në profilin e tij në Facebook e publikoi vendimin e plotë të Qeverisë për mbrojtjen e konsumatorëve.

“Ky vendim përcakton detyrimin e tregtarëve që përfaqësojnë persona juridikë dhe fizikë të regjistruar që të ushtrojnë veprimtari tregtare në një regjistër përkatës në përputhje me ligjin, si dhe tregtarët që përfaqësojnë persona juridikë dhe fizikë për prodhimin e produkteve të tyre, i shesin në treg, në dyqanet e tyre ose shitësve të tjerë me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore, për të marrë dhe/ose shitur bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë .

Inspektorati Shtetëror i Tregut në dy ditët e fundit kreu kontrolle në më shumë se 400 subjekte ekonomike në nivel të gjithë vendit dhe konstatoi se në përgjithësi është respektuar vendimi për ngrirjen e çmimit të bukës 450 gramëshe në 33 denarë. Por përkundër pohimeve të inspektoratit, një numër i madh i marketeve nuk e kanë bukën e bardhë në rafte me çmim të prej 33 denarëve. Në media, por edhe në rrjetet sociale, vazhdimisht jemi dëshmitarë se furrat e bukës nuk e prodhojnë këtë lloj të bukës dhe në fakt edhe vetë furrtarët konfirmojnë se nuk prodhojnë bukë të tillë. Problemi më i madh është në Shkup, ndërsa në qytetet e tjera çmimi i bukës është i ulur.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu