Ja çfarë thotë Migjen Basha për futbollistët që e lanë Shqipërinë për Kosovën

Futbollisti I Kombëtares shqiptare, Migjen Basha, ka folur sot për ndeshjen që Kombëtarja do ta zhvillojë kundër Maqedonisë të hënën në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës “Rusi 2018”.
Po ashtu, ai është pyetur edhe për largimin e disa futbollistëve kosovarë nga Kombëtarja, të cilët kanë vendosur të luajnë për përfaqësuesen e Kosovës.

Ai ka thënë se vendimet e tyre i sheh si zgjedhje personale.

“Gjithmonë kam patur si objektiv Shqipërinë, pasi prita 3 vite e gjysmë për të luajtur këtu dhe nuk mendoj asnjë lëvizje tjetër. Lëvizjet drejt Kosovës i konsideroj si zgjedhje personale.”

Migjen Basha gjen frymëzimin tek sfida e Aveiros ndaj Portugalisë, më 7 Shtator të 2014-tës, aty ku nisi mrekullia kuqezi drejt Evropianit francez, shkruan Super Sport.

“Duhet të vlerësojmë çdo kundërshtar dhe të fillojmë me fitore ndaj Maqedonisë. Fitorja në ndeshjen e parë të jep krahë dhe këtë e pamë me Portugalinë.”

Mesfushori 29-vjecar e nisi titullar miqësoren ndaj Marokut ku ekipi tregoi qëndrueshmëri në lojë edhe pse përdori disa variante taktike dhe ndryshime të shumta gjatë lojës. Basha ka një mesazh për të gjithë ambientin kuqezi, duke kërkuar vlerësim maksimal për Maqedoninë.

“Sot fillojmë të shohim kundërshtarin, e njohim dhe e dimë që është i vështirë dhe nuk do të jetë e lehtë. Nëse mendojmë se Maqedonia është kundërshtar i lehtë dhe duhet mundur atëherë gabojmë rëndë. Nëse futemi në fushë me Maqedoninë për barazim atëherë jemi të humbur.”

Pas arritjes në finalet e Evropianit të gjithë presin një fushatë eliminatore pozitive, pse jo me një tjetër udhëtimin në verën e 2018 drejt Rusisë. I ngacmuar për objektivat që vendos stafi teknik Migjen Basha tregohet i qartë.

“Objektivi varet nga kundërshtari që kemi përballë, ende nuk kemi vendosur për një taktikë të mirëfilltë. Trajnerët flasin me mënyra të ndryshme me median dhe ndryshe me lojtarët.”

Ngërçi i kësaj skuadre është sulmi, pasi në 5 ndeshjet e fundit, miqësore dhe zyrtare janë shënuar vetëm 2 gola. Analiza e mesfushorit të Barit nis që nga ecuria e Evropianit për të përfunduar me recetën e dhënë nga trajneri De Biasi për të rregulluar këtë mangësi.

“Kemi pasur kundërshtarë të vështirë në Evropian, ndoshta na ka munguar guximi për të sulmuar. Humbjet me Zvicrën dhe Francën nuk i kemi merituar, por është e vërtetë që duhet të shënojmë gola. Nuk është faji i sulmuesve, por i lojës sonë pasi mesfushorët e krahut duhet të ndihmojnë më shumë. Këtë do ta shohim të hënën.”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu