Kampionati Botëror 2018, fitore e vështirë e Francës ndaj Australisë

Përfaqësuesja e favorizuar e Francës mundi Australinë me rezultatin 2:1, në ndeshjen e grupit “C”, të luajtur në Kazan të Rusisë në ditën e tretë të Kampionatit Botëror në Futboll “Rusi 2018”, raporton Anadolu Agency (AA).

Megjithëse Franca llogaritej favorite absolute e ndeshjes, me pritje për një shfaqje rutinë, përfaqësuesja e Australisë rezultoi të jetë një kala e vështirë për t’u mposhtur nga futbollistët e Dider Deschamps.

Pjesa e parë përfundoi me një barazim të shifrave 0:0, përkundër disa rasteve të mira të krijuara nga francezët dhe australianët, megjithatë, në pjesën e dytë të lojës, më saktësisht në minutën e 58-të, Franca kaloi në epërsi më një gol të shënuar nga Antonie Griezmann nga pika e bardhë.

Ky gol, njëherësh shënoi rastin e parë në Kampionatet Botërore të jetë përdorur teknologjia “Video Asistenti i Referit”.

Gjatë një situate të dyshimtë në zonën e rreptësisë së Australisë, arbitri nuk akordoi penalti, për çka ndeshja vazhdoi dhe pas disa minutash u ndal, pasi gjyqtari u informua se kishte ndonjë kontakt.

Festa e francezëve nuk zgjati shumë, meqë pesë minuta më vonë, Mile Jedinak i Australisë, nga një gjuajtje nga 11-metërshi barazoi shifrat në 1:1.

Australia u mbaj mirë në vazhdim, por Paul Pogba, shënoi në minutën e 80-të të lojës, që rezultoi të jetë goli i fitores së vështirë të francezëve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu