Komisioni parlamentar për zgjedhje dhe emërime njëzëri dhe pa debat miratoi konkluzionin për ti propozuar Kuvendit që të shkarkojë Prokuroren Publike Speciale, Katica Janeva, e cila është e dyshuar në rastin “Reket”.
Vendimi u soll në bazë të raportit të Këshillit të Prokurorëve Publik për shkarkimin e Janevës, për shkak të veprimeve të paligjshme dhe joprofesionale. Konkluzioni do t’i dorëzohet kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili duhet të thërrasë seancë plenare për shkarkimin e Janevës.
Në seancën plenare nuk do të debatohet për raportin e Këshillit të Prokurorisë Publike, por vetëm për propozimin për shkarkim. Vendimi sillet me dy të tretat e votave edhe me votim sipas parimit të Badenterit, ndërsa në fund duhet të vërtetohet edhe nga Këshilli i Prokurorëve.










