Opozita kërkon që kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi të thërret seancë urgjente për shkarkimin e Katica Janevës. Sipas VMRO-DPMNE-së, në rast se seanca nuk thirret deri para 14 shtator, procedura bllokohet dhe me këtë sipas VMRO-së, Janeva shpëton nga shkarkimi dhe ndjekja penale për rastin “Reketi”. Xhaferi thotë se seancën do ta thërret në dy ditët e ardhshme.
Nuk do të pritet data 15. Nesër ose të shtunën. Nuk do të lë për ditën e fundit pasi për diçka të tillë nuk ka as logjike dhe as nevojë”-tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
I pari i ligjvënësit shton se zvarritja e seancës është bërë për faktin që nga subjektet parlamentare është pritur konsensus ashtu siç e parashikon Ligji për Specialen.
Seanca ishte e varur edhe nga fakti se referuar Ligjit për PSP-në, për t’u thirrur seanca e kam për obligim të siguroj pëlqim me shkrim nga katër subjektet më të mëdha politike në Kuvend për shkarkimin e prokurores speciale, për faktin se prokurorja speciale në bazë të shkarkimit, sipas ligjit ka mundësi të ngrit padi në gjykatën përkatëse që ta kundërshtoj vendimin për shkarkim dhe në aspektin formal, nëse mungon pëlqimi nga njëri subjekt i jep fuqi që vendimi për shkarkim të rrëzohet me vendim gjyqësor”-theksoi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Neni 19 i Ligjit të PSP-në parashikon që udhëheqësi i organit special të akuzës, pas vendimit për shkarkim të paraqesë padi në Gjykatën Civile për të shqyrtuar vendimin për shkarkim. Në rast se padia ka bazë, udhëheqësi kthehet ne vendin e punës mbi bazën e vendimit gjyqësor. Propozimi për shkarkimin e Janevës erdhi mbi dyshimet për punë jo profesionale, jo ligjore dhe të pandërgjegjshme. Këshilli i Prokurorëve Publik i kërkoi Kuvendit shkarkimin e saj, ndërsa Komisioni parlamentar për zgjedhje dhe emërime me vota unanime verifikoi kërkesën e Këshillit. Pas shkarkimit me 2/3 e votave dhe me shumicë badenteri, Këshilli i Prokurorëve duhet të konstatojë shkarkimin, vendim ky i cili pritet t’i paraprijë edhe marrjes së mandatit të Janevës.
Video:










