Kosovë, seancë të jashtëzakonshme për Astrit Deharin

Kuvendi i Republikës së Kosovës, sipas kërkesës së 40 deputetëve nënshkrues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), sot mbajti një seancë të jashtëzakonshme, ku u debatua lidhur me rastin e vdekjes së aktivistit, Astrit Dehari, i cili vdiq përderisa ndodhej në paraburgim në burgun e Prizrenit, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas diskutimeve të gjata, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti dhe inicuesi i këtij debati propozoi një rekomandim lidhur me rastin e përkrahur edhe nga LDK-ja, në të cilën kërkohet zbardhja e rastit në mënyrë transparente dhe të mos lihet hapësirë manipulimeve politike.

Sipas këtij propozimi, familja Dehari në rast të dyshimeve në ekspertizat e institucioneve përgjegjëse mund të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të bëjë ekspertiza shtesë edhe jashtë vendit nga cilido vend i BE-së dhe SHBA-së me ç’rast Qeveria e Kosovës duhet t’i mbulojë tërësisht shpenzimet.

Kurse shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, në përkahje të partive opozitare, doli me një projekt-rezolutë, ku përshiheshin 3 kërkesat e shoqërive civile, në bazë të peticionit të nënshkruar, “Hetim të pavarur dhe transparent për rastin, dorëheqjen e udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe fillimin e menjëhershëm të ndjekjes penale të përgjegjësve që dështuan të garantojnë sigurinë e jetës së Deharit”.

Deputetët miratuan rekomandimin e deputetit të PDK-së, Zenun Pajaziti me 49 vota për dhe me 13 abstenime. Kurse projekt-rezoluta e propozuar nga VV mori 20 vota për, 17 kundër dhe 25 abstenime.

Gjatë debatit të zhvilluar, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Pajaziti tha se arsyeja e hezitimit të mbajtjes së këtij debati në kohën kur është kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje, është pritja e rezultateve nga mjekësia ligjore, ekspertët dhe institucionet përkatëse. Ai tha se ky rast duhet të trajtohet sa më shumë nga institucionet e drejtësisë, e sa më pak të shfrytëzohet për axhenda politike.

“Jeta e një të riu pa marrë parasysh qëllimet, motivet, formën e jetës dhe përcaktimet politike e shoqërore, është shumë e vlefshme dhe sidomos është edhe më e vleshme kur ajo jetë është në duart e shtetit. Të gjithë neve duhet të na interesojë për secilën jetë, e cila përfundon kur ajo është në dorën e shtetit. Ne duam saktësisht të dimë çka ka ndodhur me Deharin i cili jetën e tij e përfundoi në burg”, tha Pajaziti.

Kurse Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK-së tha se askush nuk duhet të marrë rolin e mjekut, hetuesit, prokurorit e të gjykatësit dhe sipas tij nëse nuk u besohet rrugëve ligjore, mund të kërkohet ndihmë edhe nga institucionet ndërkombëtare. Ai shtoi se ky rast tragjik është keqpërdorur dhe abuzuar për shkaqe dhe përfitime politike.

“Sigurisht që edhe ne si institucione por edhe qytetarët, organizatat e ndryshme kanë pasur dhe kanë të drejtë të ngrisin zërin dhe ta kërkojnë të vërtetën, por askush nga ne nuk duhet shfrytëzuar rastet e tilla të rënda për çfarëdo përfitimi, qoftë edhe nëse duket dhe krijohet një përceptim i një përfitimi të tillë politik”, tha Beqiri.

Ndërkaq, Konjufca shtoi se kjo seancë për Astrit Deharin u rrëmbye nga LDK dhe PDK, për t’iu shmangur peticionit të 23 mijë e 774 qytetarëve i organizuar nga shoqëria civile i cili nuk kërkon vetëm debat, por kërkon edhe adresimin e përgjegjësisë.

“Qytetarët kanë thënë me 23 mijë nënshkrime që këtu duhet të adresohet përgjegjësia. Ne duhet ta ngrisim zërin se e kujt ka qenë përgjegjësia që Astrit Dehari e humbi jetën në burg. Aty kërkohet tërheqja e ministres së Drejtësisë dhe e ministrit të Brendshëm si dhe shkarkimi i të gjithë atyre që ndodhin në kierarkinë institucionale të burgut”, tha Konjufca.

Kurse ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha tha se Ministra e Drejtësisë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti, ku bëri të ditur se inspektoratit i MD-së ka bërë një inspektim gjithëpërfshirës për veprimet dhe sjelljet e stafit që nga pranimi i Deharit në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Hoxha po ashtu bëri të ditur se i gjithë procesi është monitoruar dhe i përcjellur nga EULEX-i. “Sipas raportit të inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë konstatohet se nuk është gjetur asnjë veprim i ndërmarrë nga ana e personave përgjegjës në kuadër të institucionit, pra qendrës së paraburgimit në Prizren, i cili në çfarëdo mënyre do të ishte nxitës apo shkaktar i humbjes së jetës së të ndjerit Dehari”, tha Hoxha.

Ndërkaq, përderisa në Kuvend mbahej seanca e jashtëzakonshme, dhjetëra qytetarë u mblodhën përpara këtij institucioni për të protestuar dhe për të kërkuar drejtësi për vdekjen e Deharit. Në protestë po ashtu u theksua se seanca e jashtëzakonshme duhej të mbahej në bazë të peticionit të nënshkruar nga rreth 24 mijë qytetarë, ku kërkohet dorëheqja e ministrave përgjegjës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu