Kovaçevski: Retorika bullgare, të mos rrezikojë integrimin

Përforcimi i identitetit dhe gjuhës maqedonase varet nga vetë populli maqedonas, ka deklaruar kryeministri Dimitar Kovaçevski. Sipas tij çështjet në fjalë s’duhet që të sulmohen nga jashtë apo brenda shtetit e veçanërisht nga njerëz që prioritet kanë përfitimet personale. Kreu i ekzekutivit konsideron se retorika nacionaliste bullgare është rezultat i zgjedhjeve që do të vijojnë dhe s’duhet lejuar që kjo të rrezikojë perspektivën evropiane të vendit.

“Kemi historinë tonë, kulturën, traditën, me të cilat njihemi si popull i veçantë në Evropë dhe botë dhe a thua për këtë duhet të debatojmë? A duhet të lejojmë që themelet tona të sulmohen nga jashtë dhe brenda shtetit nga individë të etur për pushtet dhe para, për të cilët asgjë nuk është e shenjtë dhe paratë janë gjithçka? Kuptohet se jo. Unë, qeveria dhe të gjithë qytetarët do të jemi mbrojtësit e identitetit dhe ta mundësojmë përparimin. Ne këtë edhe po e bëjmë.”, – deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Kryeministri këtë vit pret hapërim të ri drejt eurointegrimeve, duke qenë i bindur se do të sigurohet shumicë e re parlamentare evropiane e cila do të sigurojë perspektivat evropiane. Kovaçevski ftoi në unitet kundrejt sfidave të reja.

“Para nesh është një vit, i cili do të testojë pjekurinë e të gjithë liderëve politik dhe të gjithë deputetëve në kuvend. Ne jemi shtet multietnik qytetar, demokraci e suksesshme dhe funksionale, shembull në rajon dhe Evropë dhe me shtimin e etnive të reja në kushtetutë, asgjë nuk do të humbasim. Flas haptazi për sfidat e vitit 2023, pasi që duhet të miratohen vendime të arsyeshme. Është e vështirë të merren vendime të arsyeshme në kohën e provokimeve të paarsyeshme dhe nëse ulim nivelin dhe biem në këto provokime atëherë ne humbim.”, – theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Kryeministri theksoi se qeveria do të vazhdojë me projektet evropiane, ndërkohë që po vijon skriningu i cili duhet të përmbyllet para përfundimit të vitit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu