Kryqi i Kuq ndihmon 4000 familje me 250 euro, këtë javë bëhet lista

Kryqi i Kuq i Maqedonisë filloi me përgatitjet teknike dhe administrative për të bërë shpërndarjen e të hollave të cilat janë grumbulluar në xhirollogarinë e saj.

Ndihmat  do t’u shpërndahen 4000 familjeve në rajonet e përmbytura. Si instrument, i cili do të shfrytëzohet për pagesën e këtyre kontributeve, do të jetë lista përfundimtare e Komisionit për vlerësimin e dëmeve në terren.

Ajo listë duhet të kompletohet deri ditën e mërkurë, me qëllim që të paraqiten familjet të cilat nuk kanë qenë të përfshira në atë listë.

“Parimi me të cilin do të udhëhiqemi gjatë transferimit të të hollave është parimi i linearitetit, ose i drejtpërdrejtë, atëherë ajo nënkupton se të hollat që i kemi në xhirollogari duhet të shpërndahen në mënyrë lineare te të gjitha familjet. 1 milionë e 30 mije euro, që rezulton të jenë 63 mijë denarë, pjesëtuar për 4200 familje, ato dalin diku 250 euro, më pak ose më shumë”,- deklaroi Sait Saiti nga Kryqi i Kuq.

Deri të mërkurën të gjitha familjet duhet të japin deklarata në noter për pronat e tyre të dëmtuara, në të cilën do të përfshihet edhe xhirollogaria bankare për transformimin e të hollave, që do të fillojë nga e hëna e ardhshme. Saiti shpalosi edhe projektet e tjera, si ndihmat prej 500 eurove që do t’u jepen 300 familjeve.

“Kryqi i Kuq i RM-së është duke realizuar edhe një projekt në bashkëpunim me Kryqin e Kuq austriak, projekt prej 550 mijë eurove, të holla të siguruara veç më. Një pjesë e konsiderueshme, afër 300 mijë euro, janë dedikuar për 300 familje në rajonet e prekura, të cilat janë me gjendje materiale të dobët gjatë dy muajve të ardhshëm, nga 500 euro do të shkojnë për familje”,- tha Sait Saiti nga Kryqi i Kuq.

Kryqi i Kuq gjithashtu do të realizojë një projekt me përkrahje të KK-së ndërkombëtare, i cili do të fillojë ditëve të ardhshme shpërndarjen e pakove me produkte ushqimore dhe higjienike, si dhe realizimin e seminareve nëpër shkolla me qytetarët e këtyre rajoneve në drejtim të përmirësimit të kulturës për mënjanimin e pasojave nga këto dukuri natyrore./zhurnal


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu