Maqedonia e Veriut me shkallën më të lartë të vdekshmërisë nga COVID-19 në rajon

Maqedonia e Veriut ka bërë zbutjen e masave lidhur me koronavirusin në vend, ndërkohë që numri i të prekurve dhe i viktimave nuk ka të ndalur. Vendi radhitet në krye të listës për nga vdekshmëria në rajon. Drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik Arben Ziberi thotë se kjo ndodh për shkak të testeve që u bëhen edhe personave të vdekur nga sëmundje të tjera.

Maqedonia e Veriut e ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë nga koronavirusi në rajon. Vendi me rreth 2 milion banorë ka regjistruar 122 viktima deri tash; mbi 2 mijë të prekur, prej të cilëve mbi 470 raste aktive. Ekspertët e shpjegojnë këtë me testet e shumta që janë bërë, madje edhe tek personat e vdekur nga sëmundje të tjera, siç thotë drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik, Arben Ziberi:

“Arësyeja kryesore pse tek ne vdekshmëria është më e lartë është se ne jemi ndoshta shteti i vetëm në rajon që kemi bërë teste edhe tek personat pas vdekjes së tyre. Janë rreth 30 raste që janë testuar pas vdekjes dhe arësyja nuk ka qenë koronavirusi por sëmundje të tjera. Mirëpo, është diagnostikuar edhe virusi COVID-19 tek ata, pas vdekjes. Asnjë shtet nuk bën teste për koronavirus pas vdekjes dhe nëse i heqim këto 30 raste, jemi aty diku, njejtë me vendet e rajonit”, thotë zoti Ziberi.

Autoritetet kanë bërë lehtësimin e masave shtrënguese në një kohë që numri i të prekurve nga koronavirusi nuk po bie; është hequr ndalim qarkullimi dhe prej sot u hapën restorantet dhe kafenetë, megjithëse me një sërë protokollesh.

Doktor Ziberi, megjithatë thotë se janë vatra të kontrollueshme edhe përkundër shtimit të rasteve të reja; Ai thekson se është pritur që me zbutjen e masave të shtohet numri i të prekurve me COVID-19.

“Tash jemi në fazën e dytë të pandemisë, siç janë dhe shumë shtete të tjerë dhe pas një izolimi të plotë që kemi pasur dhe si shembull në qytetin e Shkupit të cilin ne si Qendër (e Shëndetit Publik) e menaxhojmë, deri sa i kishim masat shtrënguese në fuqi, më 5 maj nuk kemi regjistuar asnjë rast të me koronavirus. Kjo sot nuk është kështu, me që vetëm sot kemi 24 raste të reja. Por, vlen të theksohet se situatën e kemi nën kontroll. Këto janë vatra të kontrollueshme dhe kanë të bëjnë me familje. Kemi raste në një familje me më shumë persona të prekur dhe nuk është i shpërndarë virusi siç ishte në fillim apo në pikun e pandemis,ë gjithandej”, shprehet Dr. Ziberi

Ditëve të fundit janë regjistruar raste në komunat e Shkupit: Çair, Saraj dhe Butel dhe në Tetovë e rrethinë ku banojnë shqiptarë dhe këtë zoti Ziberi e ndërlidh me mbledhitë e njerëzve dhe familjeve gjatë Ramazanit.

“Prandaj duhet të kemi kujdes se virusi është i pranishëm tek ne”, thotë ai.

Tre vdekjet e 24 orëve të fundit kanë ndodhur në Shkup dhe në Tetovë, ndërsa është regjistruar dhe viktima e parë në mesin e punonjësve shëndetësor: një farmacist nga rrethi i Strugës.

Qendra e Shëndetit Publik në Shkup po bën kontrollin e punonjësve të çerdheve dhe foshnjoreve dhe nga 2000 punonjës janë testuar 1200 ku është diagnostikuar vetëm një rast pozitiv me koronavirus në këtë mes, thotë drejtori i Qendrës, Ziberi. Ndërkohë, në shtëpitë e pleqve janë regjistruar dy raste. Sipas pritjeve, çerdhet e fëmijëve mund të hapen kah mesi i qershorit, por me mjaft ndryshime dhe protokolle për të shmangur eventualisht përhapjen e virusit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu