Në kohë të pandemisë, përdoret uji i pa kloruar

Sipas të dhënave të Njësisë për shëndet publik në Dibër, si në Komunën Dibër ashtu edhe në Komunën Qendër Zhupë, në pjesën më të madhe të fshatrave uji vazhdon të mos klorohet. Sipas të dhënave të Njësisë për shëndet publik në Dibër, si në Komunën Dibër ashtu edhe në Komunën Qendër Zhupë, në pjesën më të madhe të fshatrave uji vazhdon të mos i plotësojë standardet e nevojshme

Vjollca SADIKU

Dibër, 29 maj – Edhe pse jetojmë në kohë të pandemisë, në pjesën më të madhe të fshatrave në Komunën Dibër dhe Qendër Zhupë nuk bëhet klorimi i ujit. Të dhënat zyrtare thonë se ky problem zvarritet më shumë se tre dekada, por meqë jetojmë në një moment kur është aktual virusi Kovid-19, është e udhës që të tejkalohet ky problem që ka të bëjë drejtpërdrejt me shëndetin e banorëve të 17 vendbanimeve rurale.

Sipas të dhënave të Njësisë për shëndet publik në Dibër, si në Komunën Dibër ashtu edhe në Komunën Qendër Zhupë, në pjesën më të madhe të fshatrave uji vazhdon të mos klorohet. Udhëheqësi i këtij institucioni shëndetësor, epidemiologu Mentor Mela thekson se analizat tregojnë se edhe aktualisht bashkësitë vendore të fshatrave nuk kanë siguruar klorimin e ujit. Bëhet fjalë për ujësjellës me të cilët furnizohen banorët e fshatrave të Komunës së Dibrës – Banisht, Ame, Konjar, Xhepisht, Kosovrats i Poshtëm dhe i Epërm, si dhe fshatra të komunës Qendër Zhupë edhe atë Gorenc, Zhitineni, Novak, e tjerë, edhe atë në një kohë kur na nevojitet një vëmendje më e madhe në aspektin e mbrojtjes së shëndetit publik. Mela shton se pas marrjes së analizave për mos klorimin e ujësjellësve në fshatra, informohet zyrtarisht inspektori kompetent, i cili pastaj dërgon në adresë të bashkësive vendore vendimin për cilësinë e ujit dhe informatën për mos klorimin e ujit.

Sipas Melës, afër 80 për qind të analizave tregojnë se uji nuk është cilësor për pije, pasi nuk i plotëson standardet e nevojshme. Përfaqësues të bashkësive lokale theksojnë se me Ligjin e ri për bashkësitë lokale, respektivisht ata vendore dhe urbane, këta institucione lokale nuk kanë as xhirollogari dhe nuk kanë fuqi materiale të realizojnë aktivitete siç është mirëmbajtja e ujësjellësve në fshatra dhe klorimin e tyre. Pikërisht në një situatë të këtillë, viteve të fundit shumë ujësjellës nëpër fshatra nuk mund të mirëmbahen dhe normalisht as nuk mund të merren pajisje për klorimin e tyre. Tani pushtetet vendore janë ata të cilët duhet të ndërmarrin aktivitete për mirëmbajtjen e ujësjellësve nëpër fshatra dhe klorimin e tyre. Ky problem është debatuar disa herë edhe në institucionet lokale. Në Këshillin e Komunës Dibër, por edhe atë të Komunës Qendër Zhupë, është kërkuar nga ndërmarrjet komunale “Standardi” në Dibër dhe “Kale” në Qendër Zhupë që të menaxhojnë edhe me ujësjellësit nëpër fshatra. Nga ndërmarrjet në fjalë kompetentët janë informuar se për këtë çështje – banorët e fshatrave duhet të paguajnë për mirëmbajtjen e ujësjellësve dhe njëkohësisht për të menaxhuar me ujësjellësit në fshatra – kërkohet edhe leje edhe nga institucionet qendrore kompetente.

Banorët e fshatrave që përdorin ujë të pakloruar, sipas institucioneve shëndetësore, sidomos gjatë verës kanë probleme shëndetësore me sëmundje të ndryshme infektive. Këtë e pohojnë edhe në Entin për shëndet publik. Tani kur jemi në prag të verës dhe në kohë të pandemisë, askush nga zyrtarët nuk po mendon për rreziqet që mund të sjell uji i pa kloruar e që përdoret për pije nga banorët në të dy komunat. (koha.mk)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu