Nëna e Ronaldos rrëfen sekretet: Në shtëpi nuk flasim kurrë për Leo Messin

Nëna e Cristiano Ronaldo, Dolores Aveiro, ka dhënë një intervistë për “Le Magazine”, një revistë javore e gazetës së njohur sportive franceze, “L ‘Equipe”. Ajo e ka bërë këtë nga shtëpia e saj në Madrid. Dolores u shoqërua nga motrat e yllit portugez, Katia dhe Elma, të cilat, madje, në një moment erdhën për të ndërhyrë në intervistë.

Nuk është e vështirë për të qëmtuar momentin më të çuditshëm të intervistës, kur nëna e Cristiano Ronaldos u pyet nëse djali i saj ishte i trishtuar për “Topat e Artë” të Messit. Katia Aveiro, motra e Crisitanos, u përgjigj në vend të nënën së saj:

“Messi nuk është kurrë objekt dhe temë diskutimi në shtëpinë tonë. Cristiano e ka rregull, pas këtyre dyerve vetëm pushon. E lë çdo vorbull jashtë. Kur e kalon derën e shtëpisë, pra hyn nga jashtë në brendësi, ai mendon vetëm si t’i karikojë bateritë”.

Pasioni i Cristiano Ronaldos për futbollin vjen nga familja, diçka që nëna e tij e transmeton. Kur vjen puna për të jetuar lojërat e Real Madridit, ajo thotë se ka shumë emocione. Madje, i përjeton më të njëjtin pikëllim sa dhe djali i saj, kur gjërat nuk shkojnë mirë. “Cristiano e di që, nëse jam në stadium, ndjeshmëria ime e madhe mund të më shkaktojë probleme. Kjo gjë do t’i shkaktonte stres edhe atij, ndaj më paraprin duke më këshilluar që t’i shikoj ndeshjet në televizion.

Ai më thotë shumë herë: “Mama, është më mirë të qëndrosh në shtëpi. E përjetoj keq kur djali nuk është në ditën e tij të mirë, ose bën ndonjë gabim, siç mund të bëjë çdo nënë me fëmijën e saj. Edhe tani, që është vetë prind, ai ngushëllohet tek mua, kur është e nevojshme, kur është i trishtuar. E vë re që nuk është në humor të mirë dhe mundohemi të gjithë ta qetësojmë e ndihmojmë”.

Por, a është tërheqja e “7” së bardhë nga futbolli, diçka e përfolur në bisedat familjare? Duke pasur parasysh përsosmërinë e tij dhe aftësinë për të shkëlqyer, nëna e portugezit beson se kanë mbetur akoma pak vite, që ai moment të vijë: “Ai është shumë i koncentruar, por, gjithashtu, edhe shumë i shqetësuar. Vitet rrjedhin, koha kalon dhe gjërat për një futbollist bëhen të diktueshme… Ka disa që luajnë deri në moshën 37-vjeçare.

Cristiano nuk është një makinë, por do të vazhdojë të luajë derisa të mundet, mendoj edhe për 3, ose 4 vite të tjera. Përsosmëria e Cristianos ka qenë gjithmonë kështu. Ai ka kërkuar vazhdimisht për të qenë më i miri, për të dhënë maksimumin për të fituar, që i vogël”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu