Nis gjykimi për aksidentin e Llaskarcës

Autobusi i kompanisë “Durmo Turs” i cili më 13 shkurt të këtij viti përfundoi në arat e Llaskarcës duke lënë të vdekur 16 persona nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike. Pos kësaj në autobus  ka pasur pajisje për të fshehur shpejtësinë dhe manipuluar tafografin. Këto të dhëna i publikoi prokurori Darko Jakimovski, në seancën e parë gjyqësore për këtë rast. Për këtë tragjedi prokurori fajëson pronarin e kompanisë “Durmo Turs”, Durmish Belulin, shoferin e autobusit Manuel Trifunovski, shefin e kompanisë për Kontrolle teknike AMZ Gostivar, Remzi Miftari, udhëheqësin e saj Igor Georgievski si dhe të punësuarit në këtë kompani Goran Dulovski dhe Jane Bubarovski. Sipas prokurorit të gjithë këta janë fajtorë për shkak të moskujdesit për kontrollin teknik të rregullt të autobusëve.

Në ekspertizën e bërë nga MPB autobusi me të cilin ka ndodhur tragjedia për 16 ditë ka udhëtuar në linjën Gostivar-Shkup-Gostivar, dhe atë pa marrë leje për qarkullim në komunikacion dhe aq më pak pa marrë leje për të bërë transport publik në këtë linjë. Në ekspertizat e bëra është konstatuar se autobusi ka pasur lidhje elektrike të posaçme për të mos e treguar shpejtësinë e saktë në lentat topografe, tek të cilat është manipuluar shpejtësia reale, që vozitësit të vozisin më shpejtë- deklaroi Darko Jakimovski, Prokuror.

Gjashtë të dyshuarit para trupit gjykues u deklaruan se nuk ndjehen fajtorë për tragjedinë. Avokatët thanë se Prokuroria gjatë hetimeve nuk e ka vendosur fokusin tek arsyet pse që shkaktuan tragjedinë por tek pasojat.

Nuk polemizojmë me pasojat e fatkeqësisë të cilat janë të qarta dhe të dukshme. Në fjalimin e prokurorit publik i gjithë hetimi është fokusuar në lëshimet organizative të ‘Durmo Turs’ dhe të Kontrollit teknik në ‘AMZ Gostivar’. Pak dëgjuam të thuhen arsyet me fakte, pasi autobusi pasi ka dalë nga stacioni, pa probleme është ndaluat nëpër semaforë dhe stacione tjera prej ku ka marrë udhëtar, pa pengesa dhe me frenim normal- deklaroi Lavdrim Seferi, Avokat Mbrojtës.

Avokatët e të punësuarve në AMZ gostivar thonë se ekspertizat thonë që shoferi ka vuajtur nga sëmundje kronike dhe ka  pësuar shok hipoglikemik. Prokurori tha se vetëm një vit pas tragjedisë, nga hetimet e bëra janë vërejtur parregullsi tek rreth 80 autobusë për transport, të cilët kanë qenë të regjistruar tek “AMZ Gostivar” , ndërsa gjatë kontrollit teknik kanë kaluar në gjendje të rregullt. Aksidenti në Llaskarcë ndodhi më 13 shkurt të këtij viti. 16 persona humbën jetën ndërsa 38 të tjerë u lënduan.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu