Nishani në Luginë të Preshevës: ta ruajmë identitetin kombëtar

Qindra mijëra qytetarë të Bujanocit dhe Preshevës e kanë pritur, të marten, presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishanin, që arriti në qytet në orët e pasdites.

Ai fillimisht u ndal të përshëndeste qytetarët që e pritën me ovacione, njofton korrespodenti i agjencisë së lajmeve INA.

Ndërkaq, më pas realizoi takime me përfaqësuesit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Pas këtyre bisedave, ai tha se “Shqipëria është e interesuar që të ndihmojë në realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në fushat që përfshijnë tri komunat të banuara me shqiptarë”.

Ai tha se njëkohësisht vendi i tij është i interesuar “që të punojë në avancimin dhe promovimin e bashkëjetesës në bashkësitë shumëkombëshe”.

“Për të mirën e popujve tanë duhet te kthehemi nga e ardhmja dhe ajo duhet të ndërtohet në respekt të ndërsjellë dhe jo mbi urrejtje dhe jo tolerancë. Së bashku ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja”, tha Nishani.

Presidenti Nishani i cilësoi marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë “gjithnjë e më të mira” dhe tha se “Tirana do të vazhdojë që të ndërtojë marrëdhënie të mira me Beogradin”.

Ai tha se prej fjalëve tani duhet të kalohet në vepra dhe duhet të hartohet një plan veprimi për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

“Për të gjitha ato që janë arritur, qeveritë duhet të kenë përgjegjësinë dhe t’i forcojnë e avancojnë. Duhet që të gjitha marrëveshjet, para së gjithash ato që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së bashkësisë shqiptare në jug të Serbisë të zbatohen në praktikë”, tha Nishani.

Kryetari i Këshillit kombëtar Shqiptarë, Junuz Musliu, deklaroi se vizita e sotme e presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani në këtë qytet është historike dhe se është fakt se presidenti respekton kushtetutën e vendit të tij, e cila e obligon që të mbrojë të drejtat e shqiptarëve pavarësisht se ku jetojnë.

Ai kërkoi të drejta të barabarta të shqiptarëve të Luginës me të drejtat e avansuara të serbëve në Kosovë.

Kërkesa të ngjajshme parashtruar edhe përfaqësuesit tjerë politik të Komunës së Preshevës dhe Bujanocit.

Nishani është presidenti i parë i Shqipërisë që viziton Luginën e Preshevës.

Në prag të vizitës, mediat serbe cituan kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Jonuz Musliu, të ketë thënë se Nishani “vjen për të parë kushtet në të cilat jetojnë shqiptarët në Serbi” marrë parasysh se “për shqiptarët, me Kushtetutë të Shqipërisë, duhet të përkujdeset shteti amë”. (INA)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu