Nishani në Preshevë: Shqipëria duhet edhe praktikisht të jetë pranë Luginës

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili qëndron për vizitë në Komunën e Preshevës, në Shtëpinë e Kulturës “Krashnica” në Preshevë, porositi se “Shqipëria përkrahë dhe vlerëson përgjegjësimin në parashtrimin e kërkesave për zgjidhje të cilat ndikojnë në përmirësimin në jetën e qytetarëve të Luginës së Preshevës”, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti shqiptar i cili ndodhet në Luginë me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, tha se askush kudo në botë nuk e ka pasur më vështirë se sa në Luginën e Preshevës ushtrimin e detyrës mësues. Nishani përsëriti se “është një e vërtetë e pakundërshtueshme se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë nderi dhe simboli i nderit i kombit shqiptar”.

“Shqipëria së pari është e obliguar, por dëshiroj edhe t’u garantoj se është e interesuar gjithashtu për çdo shqiptar kudo ku ai jeton në botë. Ky është një detyrim kushtetues për çdo përfaqësues të shtetit shqiptar dhe institucioni i shtetit shqiptar. Ju garantoj se jemi me mëndje dhe me zemër çdo ditë pranë jush, e duhet të jemi edhe më shumë praktikisht afër jush”, deklaroi Nishani.

Nishani porositi se Shqipëria do të përkrahë dhe do të ndihmojë Luginën e Preshevës në zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor e të gjitha zonave të banuara me shqiptarë me të njëjtat standarde me zonat e tjera të Serbisë, përfshirë edhe siç theksoi ai, respektimin e simboleve kombëtare shqiptare, njehsimin e diplomave të të rinjve të Luginës që diplomohen në universitetet e Shqipërisë.

Pakicat kombëtare janë urë lidhëse përmes shteteve dhe kombeve të rajonit

Nishani në vijim të adresimit të tij para qytetarëve të Preshevës, tha se rajoni i Ballkanit ka kaluar vite të vështira të cilat kanë lënë edhe pasoja të mëdha tek të gjithë popujt e këtij rajoni. Ai porositi se është koha që të gjithë këto popuj që jetojnë në rajon të ecin përpara, duke respektuar njëri-tjetrin, gjë e cila është kontribut për një të ardhme të mirë të popujve të rajonit.

“Ne si shqiptarë kudo që jetojmë në Ballkan e kemi të qartë se rruga jonë e vetme është të jemi të gjithë pjesë e Bashkimit Evropian, kësaj familje të madhe ku jo vetëm e ka origjinën kombi shqiptar, por atje ku e ka vendin dhe destinacionin e tij përfundimtar. Mirëpo, respektimi i të drejtave të pakicave kombëtare dhe atyre kulturore kudo që ndodhen është vlerë e shtuar për shtetin ku jetojmë. Duhet të kuptojmë se pakicat janë urat më të mira lidhëse përmes shteteve dhe kombeve të rajonit tonë”, deklaroi Nishani.

Nishani tha se Shqipëria si vend anëtarë i NATO-s ka mbështetur gjithmon dhe do të vazhdojë të mbështes të gjitha vendet e rajonit në aspiratat e tyre drejt anëtarësimit në NATO, ndërsa në kuadrin e Bashkimit Evropian, theksoi ai, Shqipëria vazhdojë të ofrojë kontributin e saj që i gjithë rajoni të jetë pjesë e kësaj familje evropiane.

Më herët, presidenti shqiptar realizoi takime në hapësirat e Komunës së Bujanocit me përfaqësues institucional dhe politik, përfshirë edhe me kryetarin e Trupit Koordinues në Qeverinë e Serbisë për Komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medgjevës, si dhe vizitoi shkollën fillore “Muharrem Kadriu”. Ndërsa në Preshevë, presidenti Nishani nderoi mësuesit në një program kulturor të organizuar nga Shtëpia e Kulturës “Krashnica”.

Ndryshe, presidenti Bujar Nishani është president i parë i shtetit shqiptar që viziton Komunën e Bujanocit dhe Preshevës, ndërsa zyrtari i parë i shtetit shqiptar që vizitoi Serbinë, është ish-presidenti shqiptar, Enver Hoxha, i cili në vitin 1948 qëndroi në Beograd.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu