Opozita shqiptare tërhiqet nga qeveria teknike!?

Kur protesta e opozitës ka hyrë në javën e saj të tetë, nga radhët e saj vjen sinjali i parë për zgjidhjen e krizës përmes një marrëveshje që përjashton kërkesën për qeveri teknike.

Aleati historik i Partisë Demokratike, Dashamir Shehi, thotë se do ishte e pranueshme një zgjidhje si për rastin e dekriminalizimit me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, nëse nuk realizohet kushti kryesor i koalicionit opozitar.

“Nëse kjo është një marrëveshje që e ruan të drejtën e opozitës të ketë mundësi zgjedhje, populli shqiptar të ketë akses, të mos dhunohet nga mijëra kriminelë që ka ngritur kjo qeveri në këmbë, unë mendoj se mund të arrihet, nëse jo për t’ju dorëzuar krimit edhe mafies më mirë të vijojmë luftën”, pohoi Shehi në një intervistë për News24.

Këtë ide Dashamir Shehi nuk e ka diskutuar me Lulzim Bashën, por me kryetarin demokrat ai ka biseduar për një tjetër çështje të nxehtë, atë të miratimit të Vettingut.

“Në funksion të zgjedhjeve mund të bëhej dhe kjo marrëveshje me një dekret të përbashkët Vettingu dhe qeveria teknike do ishte zgjedhje shumë e mirë dhe nuk ka justifikime për asnjë palë dhe pas kësaj shkojmë në një palë zgjedhje që shpresojmë të jenë më të mira se të tjerat”, thotë ai.

Dashamir Shehi është i idesë që opozita duhet të heqë çdo alibi se është ajo që po bllokon zgjedhjet dhe drejtësisë me veprime konkrete duke shënuar në këtë mënyrë edhe rastin e parë të mendimit ndryshe brenda radhëve të aleatëve opozitar.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu