Prezantohet Armando Sadiku, e nis aventurën kundër Ronaldos

Klubi i La Ligës spanjolle, Levante ka prezantuar sulmuesin e Kombëtares së Shqipërisë, Armando Sadikun, të cilin e transferoi nga Legia Varshava.

Sadiku ka firmosur kontratë deri në qershor të vitit 2020 me klubin spanjoll.

Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit pas transferimit, Armando Sadiku ka shprehur kënaqësinë e tij për mundësinë që të luajë në një kampionat elitar si La Liga.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Shokët e mi të skuadrës janë djem vërtet të mirë dhe më ndihmuan shumë në stërvitjen time të parë me skuadrën. Për mua është një hap shumë i rëndësishëm për karrierën time. Jam shumë i lumtur për mundësinë që Levante më dha për të luajtur në La Liga. I kam ndjekur disa ndeshje të Levantes dhe besoj se mund të bëjmë shumë gjëra të mira së bashku”, tha Armando Sadiku, futbollist i Levantes.

Te Levante, Sadiku do të luajë së bashku me Enis Bardhin, futbollist shqiptar nga Maqedonia.

“Është një djalë shumë i mirë, me të cilin flas shqip dhe mund të më ndihmojë shumë këto ditë të para këtu. Një përshëndetje edhe për të gjithë tifozët tanë dhe Forca Levante”, deklaroi më tej Sadiku.

Këtë fundjavë, Levante do të presë Realin e Madridit dhe për Sadikun duket se është rezervuar menjëherë përballja me Cristiano Ronaldon.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu