Rama i kthehet ‘zanatit’ të vjetër

Ka qenë një ditë krejt ndryshe ajo e kryeministrit Edi Rama dhe e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj këtë fundjavë. Që të dy i janë bashkuar një grupi të rinjsh nga shkolla “Sami Frashëri” dhe “Qemal Stafa” duke zhvilluar një ndeshje basketbolli në fushat e reja te kompleksi më i madh multisportiv i ndërtuar nga Bashkia e Tiranës në Parkun e Madh të Liqenit Artificial.

“Tani jeni rehat se e keni me standarde maturën, s’ka as kopje, as lodra të tjera kështu që bëjini mirë ato zgjedhjet, aplikimet te portali. Përgatituni mirë që të jenë mirë ato se matura nuk është më që ju fut në universitet, matura ju nxjerr nga gjimnazi, por në universitet ju fut portali”, theksoi Rama.

Duke iu përgjigjur interesimit të kryeministrit Rama për ecurinë e ndërtimit të shkollave të reja, Veliaj bëri me dije se do të jenë 21 shkolla të reja.

“Në të gjithë Tiranën dy gjimnaze kanë ngelur me dy turne, Samiu dhe Ismaili. Ka nisur puna te Shkolla Kosova, Shkolla “Betim Muço”, te ish-fusha e Kombinatit. Aty janë bërë fushat sakaq. “Hoxha Taksim” ka vajtur deri në kat të tretë, e rrëzuam komplet, themele të reja, e trefishuam. Pra 3 po mbarojnë, 1 fillon tani, janë dhe 17, janë 21”, tha Veliaj.

Lidhur me hapësirat e reja sportive të kryeqytetit, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se në maj do të jetë gati edhe Parku Olimpik i Tiranës.

“Ajo besoj në maj do të jetë gati. Po i vetmi kondicionimin, tabelat elektronike që vijnë tani. Vetëm që ajo do të përdoret vetëm për sport. Ajo nuk mund të bëhet as për koncerte, as për mitingje, asgjë”, tha ai.

Veliaj theksoi se një nga projektet e Bashkisë është dhe ndërtimi i Kopshtit të ri Zoologjik që do të jetë një nga më të vizituarat nga qytetarët e Tiranës, por jo vetëm.

Këtu Rama shkëmbeu një batutë me Veliajn.

“O lali Eri do të bëjmë kopshtin zoologjik më të bukur në Ballkan siç e kemi lënë?! Po s’u bë kopshti, ngela unë si ariu Silva”.

Më pas, kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj vizituan edhe mjediset e tjera të kompleksit sportiv që ofron mundësi për lojëra basketbolli, volejbolli, futbolli, regbi, hendboll dhe hokej me patina si dhe garanton standarde bashkëkohore për organizime të ndryshme sportive duke ofruar edhe një hapësirë për akomodimin e shikuesve.

Fushat sportive janë funksionale ditën dhe natën, me ndriçim dhe ujitje, si dhe do të mirëmbahen nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit. Një nga fushat është me bar, ndërsa dy të tjerat janë me tartan për basketboll, volejboll, kalçeto.

Ndërkohë, tre tribunat ofrojnë 600 vende ulëse për publikun.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu