Skandaloze, CIVIL: Votuan të vdekur, ndërsa s’ju mundësua të gjallëve (VIDEO)


Të gjitha ankesat deri te KSHZ-ja duhet të shqyrtohen me kujdes dhe për to duhet të vendoset në mënyrë konzistente, konsiderojnë nga Asociacioni qytetar “Most”. Sipas tyre, edhe pse në këto zgjedhje dalja në votim ishte më e lartë në krahasim me zgjedhje e kaluara, numri i votuesve është pothuajse identik, gjë që lë hapësirë për të dyshuar në lidhje me pastrimin e Listës zgjedhore.

“Momentalisht po rrjedh afati për dorëzimin e ankesave. Ne i bëjmë thirrje KSHZ-së që ankesat t’i shqyrtojë seriozisht dhe të vendosë në mënyrë konzistente, në pajtim me Kodin zgjedhor dhe me praktikat më të mira ndërkombëtare. Duke pasur parasysh diferencën shumë të vogël të votave ndërmjet partive, vendimet e KSHZ-së mund të ndikojnë në rezultatet përfundimtare dhe në ndarjen e mandateve në njësi të caktuara zgjedhore”, u shpreh Darko Aleksov, nga MOST.

Aleksov thekson se mbrëmjen pas përfundimit të votimit, te një pjesë e komisioneve zgjedhore komunale është vërejtur prishje e rendit, punë kaotike si dhe korrigjim i gabimeve teknike në procesverbalet e dorëzuara nga këshillat zgjedhorë. Me vërejtje të ngjashme dolën edhe nga “Civil” të cilët konsiderojnë se në shumë raste janë shkelur kushtet minimale për mbajtjen e zgjedhjeve, sidomos kur është në pyetje lista zgjedhore dhe liria e qytetarëve gjatë kohës së votimit.

“Deri tani kemi konstatuar 30 vendvotime për të cilat ne kërkojmë të bëhet rivotim sepse janë vërejtur shkelje serioze të Kodit Zgjedhor, andaj konsiderojmë se do të ishte më mirë që të ketë rivotim sepse bëhet fjalë për shumë vendvotime që mund të bëjnë diferencë në rezultatin përfundimtar”, tha Xhabir Deralla, nga CIVIL.

Nga “Civil” kërkojnë që në rast të rinumërimit të votave të jenë të pranishëm edhe vëzhgues nga organizatat joqeveritare të vendit dhe të huaj. Nga “Civil” njoftuan se vëzhguesit e tyre kanë vërejtur mbi 400 parregullsi, ndërsa kanë pranuar edhe rreth 1000 thirrje nga qytetarët që kanë denoncuar parregullsi. (TV21)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu