Spasovski: Situata është nën kontroll, tani për tani nuk ka nevojë për karantinë

Të gjitha anketat epidemiologjike janë bërë për momentin, në këtë bazohet pohimi se situata është nën kontroll. Qeveria vazhdimisht mban seanca, në çdo moment nëse vlerësohet se ka nevojë për ndërmarrjen e masave shtesë restriktive, këtë do ta bëjmë, sepse është me rëndësi që këto masa të cilat do t’i vendosim të sjellin rezultate dhe të jenë efektive, deklaroi në një intervistë për Televizionin 24, kryeministri Oliver Spasovski.

Në lidhje me mosbashkëpunimin e disa qytetarëve të caktuar në kryerjen e anketave epidemiologjike, tha se nga fillimi i krizës kemi situata në të cilat qytetarë të caktuar nuk bashkëpunojnë mirë me shërbimet epidemiologjike, por kjo nuk është rregull, përkundrazi, siç theksoi ai, ekzistojnë disa përjashtime.

Në pyetjet e gazetarëve nëse ka vonesa me vendosjen e masave të karantinës në komunat në të cilat ka të infektuar, duke pasur parasysh se numrat e personave të infektuar janë të lartë, ndërsa nuk ka restrikcione, Spasovski potencoi se absolutisht nuk bëhet fjalë për vonesë me vendosjen e masave.

“Ne shpesh bisedojmë edhe në seancat e Shtabit kryesor së bashku me Komisionin për sëmundje infektive, qeverinë … Ky propozim është vendosur në tryezë menjëherë, kështu që absolutisht nuk bëhet fjalë nëse dikush është vonë me vendimin, pra Qeveria apo Komisionin si propozim. Ajo që është aktualisht në terren, e gjithë situata është nën kontroll, për sa i përket definimit të të gjitha klasterëve. Nëse e shikoni Shkupin, për shembull, kemi numrin më të madh të infektuarve në Saraj, Çair dhe Komunën e Gazi Babës, të gjithë këto klaster janë nën kontroll edhe pse numrat e sotëm, që janë mbi 30 në Shkup, vijnë nga ato familje që ishin në izolim. Në Shtip, situata është gjithashtu plotësisht nën kontroll”, potencoi kryeministri teknik.

Në lidhje me faktin nëse janë planifikuar masa karantine në komunat ku ka më shumë njerëz të infektuar, Spasovski tha se për momentin në Saraj po ndjekin analizat, dje, siç deklaroi ai, në këtë komunë kishte vetëm dy të infektuar, atje janë bërë të gjitha testimet e atyre klasterëve dhe nëse zhvillohet kështu situata nuk do të ketë nevojë të vendoset karantinë.

“Nëse numrat fillojnë të bien, ky është përfundimi i Komisionit, në dy deri në tre ditët e ardhshme, atëherë nuk ka nevojë të vendosni masa kufizuese. Nëse kemi rritje në ato numra, natyrisht që do të shqyrtohet vendosja e masave karantine për zona të caktuara”, tha kryeministri teknik.

Në pyetjet e gazetarëve nëse mundet sërish në Shkup të vendoset orë policore apo karantinë, Spasovski tha se të gjitha mundësitë janë të hapura.

“Tani për tani, ne mendojmë se nëse situata zhvillohet në këtë mënyrë, vetëm në ato pak komuna dhe në klasterët e njohur, nuk do të kemi nevojë për punë të tillë, por nëse zhvillimi i ngjarjeve në këtë drejtim intensifikohet, atëherë është e mundur të merret vendim për masat restriktive. Qoftë nëse është Shkupi, Shtipi apo ndonjë komunë tjetër”, tha kryeministri teknik.

Lidhur me atë cili është mendimi i tij për arsyet e rritjes së numrit të të infektuarve, Spasovski tha se te ne njerëzit nuk i respektojnë tërësisht masat, ato për mbrojtje dhe për grupim.

“Kemi rreth 85 për qind që i respektojnë, por ka edhe nga ata që nuk janë të përgjegjshëm. Kemi pasur shkelje të orës policore, disa njerëz ende nuk besojnë se virusi ekziston, dhe tërë kjo ndikon. Ashtu siç kemi pasur sjellje inerte të MPB-së, pra paraqitje publike të Naqe Çulevit në të cilën ai tha se nuk do të ndëshkojë qytetarët që nuk respektojnë masat. Mundohem të numërojë arsyet që rrisin numrin e pacientëve. Gjithashtu kemi testime masive në disa zona, si në Tetovë, si dhe në Shtip, dhe kjo është arsyeja pse kemi një numër të ri të pacientëve, por kjo do të ulet këto ditë. Sidoqoftë, situata është nën kontroll. Por, natyrisht, ne duhet të jemi më të përgjegjshëm dhe më të vetëdijshëm për rreziqet”, deklaroi Spasovski.

Ai sqaroi se të gjitha masat e funksionit të sistemit janë në fuqi dhe se tani gjithçka është në përgjegjësi të qytetarëve.

“Për të mos pasur raste të tilla në të ardhmen, Komisioni për sëmundje infektive ka nxjerrë shumë protokolle, për të gjitha sferat në ekonomi, kush si të punojë dhe si të sillet. Nëse ne jemi parimorë dhe respektojmë protokollet, me siguri do të parandalojmë përhapjen e virusit. Kontrolli nëse masat respektohen në këtë kohë duhet të jetë më i fortë. Masat qeveritare vlejnë për të gjithë, siç është masa për të mos grupuar më shumë se dy. Nëse dikush nuk e respekton atë, duhet të sanksionohet. Nëse nuk ka dënime për liturgjinë në Strugë, atëherë qytetarët e tjerë inkurajohen të mos respektojnë masat dhe të grupohen. Thjesht, duke respektuar masat, ne zvogëlojmë rreziqet”, përfundoi Spasovski.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu