Të gjitha opsionet janë të hapura, do të guxojmë mirë dhe do ta sjellim vendimin, paralajmëroi Zaevi

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev bëri të ditur se partia e tij prej sot i fillon takimet dhe bisedimet me partitë e tjera, se do të shihet me të gjithë kryetarët e partive nga blloku politik shqiptar dhe grupet e punës dhe anëtarët e udhëheqësive partiake do të kenë takime të vazhdueshme në disa nivele derisa zgjat procesi i negociatave për koalicion dhe përbërje të shumicës parlamentare.

Pret rezultate në 10 deri 15 ditët e ardhshme dhe këtë do ta bëjnë të ditur jo pas secilit takim sepse, siç tha, as nuk presin progres që në takimet e para, por se për hapat e mëtutjeshëm do të njoftohet publiku.

Para së gjithash, siç tha, do t’i konstituojnë kornizat e shumicës së ardhshme parlamentare, sa do të jetë ajo e qëndrueshme dhe të garantojë qëndrueshmëri prej katër viteve, si dhe të mënjanohen të gjitha nacionalizmat. Përgjatë vetë procesit të bisedimeve, theksoi Zaevi, do të konfirmojmë se në cilin drejtim duhet t’i ndërtojmë politikat e ardhshme.

“T’ia lëmë kohës se me cilin mund të bëjmë koalicion për zgjedhjet. Së pari shumicë parlamentare e cila do ta përbëjë qeverinë. Gjithsesi, unë jam politikan, njeri i mençur. Qytetarët përmes votimit i japin drejtimet dhe pritjet. Falë Zotit, koalicioni i kryesuar nga LSDM mund të formojë Qeveri edhe me BDI-në edhe me Aleancën për Shqiptarët. Varet nga mënjanimi i nacionalizmave, varet nga gjithë vetingu i gjyqësorit, kontrolli i pronës, kapitalit të secilit politikan dhe funksionar i cili do të zgjidhet, potencial kadrovik, para së gjithash për ato juridike, por edhe për aspektet ekonomike të shtetit. Do t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë, do të guxojmë mirë dhe do ta marrim vendimin. Të gjitha opsionet janë të hapura gjatë procesit të bisedimeve”, theksoi Zaevi, duke u përgjigjur në pyetjen se a mendon ende që BDI-ja duhet të shkojë në opozitë pas 18 viteve dhe se vota e tyre “nuk vlen as pesë para në tregun e votave”.

Në pyetje u përgjigj edhe se nuk ka ndërmend t’i kërkojë falje askujt, duke shtuar se të gjitha qëndrimet e tij politike ishin, siç tha, të besueshme, legjitime, të argumentuara dhe të arsyeshme.

“Besoj se në procesin e bisedimeve, të nisur para së gjithash nga përgjegjësia jonë para qytetarëve të cilët na e kanë dhënë mandatin për deputetë, ndërsa me këtë kanë dhënë mandat edhe për mundësi që të krijojmë shumicë parlamentare, do të nisemi nga ajo që është e rëndësishme për qytetarët. Nëse kemi krenari, atë duhet ta lëmë në shtëpi, që të mund t’iu shërbejmë qytetarëve dhe shtetit”, tha lideri i LSDM-së.

Ai beson se me të paktën 61 deputetë do të sigurojnë shumicë të qëndrueshme parlamentare e cila do të garantojë qeveri të qëndrueshme e cila ka për qëllim të qëndrojë katër vjet të cilat janë të rëndësishme për ekonominë dhe për qytetarët.

“Presim që në rrethana kur integrimet ndërkombëtare janë rrumbullakosur, NATO është punë e kryer dhe do të hapim kapitujt me BE-në, pas një periudhe të gjatë të kemi qeveri e cila do të qëndrojë katër vite”, theksoi Zaevi në konferencën për media pas mbledhjes konstituive të përbërjes së re të Kuvendit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu