Trump: Jemi gatishmëri për sulm të mundshëm ndaj Iranit

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, tha se e dinë kush është fajtori mbrapa sulmit me dronë të së shtunës ndaj fabrikave saudite të naftës dhe sinjalizoi se janë të gatshëm për një sulm të mundshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Fusha e naftës e Arabisë Saudite u sulmua. Kemi arsye për të besuar se ne e dimë fajtorin. Jemi të fokusuar (në cak) dhe i kemi armët në gatishmëri varësisht nga verifikimi, por jemi duke pritur të dëgjojmë nga Mbretëria se kush besojnë të ketë qenë shkaktari i këtij sulmi dhe në cilat kushte do të veprojmë”, ka shkruar Trump në llogarinë e tij në Twitter.

Presidenti amerikan po ashtu tha se pas sulmit është dhënë autorizim që “sipas nevojës” në SHBA të përdoren rezerva të naftës në mënyrë që të pengohen lëkundjet në tregun e naftës

Ndryshe, dy fabrika të kompanisë shtetërore të Arabisë Saudite, Saudi Aramco, u sulmuan me dronë të shtunën.

Asnjë grup ende nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Megjithatë, rebelët Huthi në Jemen, të cilët luftojnë kundër koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, thanë se kanë kryer sulme të ngjashme në të kaluarën.

Grupi Huthi i mbështetur nga Irani, raketat balistike të të cilit zakonisht interceptohen nga sistemet e mbrojtjes ajrore saudite, më parë ka shënjestruar asete dhe lokacione të caktuara strategjike të Arabisë Saudite, duke përdorur dronë të armatosur.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu