U vazhdohet paraburgimi 5 aktivistëve të VV-së të dyshuar për sulm me ‘zollë’ në Kuvend

Katër aktivistëve të VV-së të dyshuar për sulmin në Kuvend u janë vazhduar masat e njëjta të sigurisë, ndërsa njërit prej tyre i është zbutur ajo.

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar paraburgimin edhe për një muaj aktivistëve të “Vetëvendosjes” Atdhe Arifi e Egzon Haliti dhe arrestin shtëpiak Adea Batushës e Frashër Krasniqit.

Kjo gjykatë e ka liruar Petrit Ademin nga masa e arrestit shtëpiak, duke ia shqiptuar edhe për një muaj paraqitjen në stacionin policor.

Lajmin për vazhdimin e këtyre masave e konfirmoi për KALLXO.com Emrush Kastrati, avokati i Egzon Halitit.

Avokati Kastrati paralajmëroi se do të ankohej ndaj këtij vendimi të gjykatës.

Vazhdimin e masave ndaj aktivistëve të saj e dënoi Lëvizja “Vetëvendosje” me anë të një reagimi.

“Ky vendim është kryekëput politik e arbitrar. Arbitrariteti në këtë rast përcillet më shkelje flagrante të procedurave penale e gjyqësore. Gjatë këtyre 3 muajve nuk është paraqitur asnjë provë kredibile që i lidh aktivistët me veprën për të cilën po akuzohen e hetohen,” thuhet në reagimin e “Vetëvendosjes”.

Pesë aktivistët e partisë më të madhe opozitare po hetohen në lidhje me sulmin me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës më 4 gusht.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu