UEFA lartëson veprën e Vokrrit

Futbolli në Kosovë dhe në Evropë po mban zi për vdekjen e presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri, i cili u shua papritmas në moshën 57 vjeçare, transmeton Koha.net.

UEFA shkruan se Vokrri, që pati karrierë të suksesshme si futbollist, ishte lider inspirues në avancimin dhe zhvillimin e futbollit në Kosovë, që kulmoi me anëtarësimin e FFK-së në UEFA si anëtari i 55-të më 2016.

“Jemi të tronditur dhe thellë të trishtuar me lajmin për vdekjen e Fadil Vokrrit”, ka thënë presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin.

“Ishte futbollist i jashtëzakonshëm që pati një karrierë shumë të dalluar, dhe u bë administrator futbolli dhe president i asociacionit kombëtar të kalibrit më të lartë. Fadili ishte figurë kyçe në zhvillimin e futbollit të Kosovës që bëri që FFK-ja të bëhej anëtare e UEFA-s më 2016. Në periudhën që nga atëherë, ai ka drejtuar integrimin e shoqatës përbrenda UEFA-s me aftësi dhe përpjekje të madhe”.

“Në emër të futbollit evropian, dua të shpreh ngushëllimet më të thella familjes së tij, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe komunitetit kosovar të futbollit”.

Infantino: Krenar që e njoha dhe punova me një njeri kaq të madh si Vokrri

Federata Ndërkombëtare e Shoqatës së Futbollit ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së Fadil Vokrrit, kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), i cili vdiq sot në moshën 57 vjeçare.

“Jam shumë i mërzitur me lajmin dhe në emër të komunitetit botëror të futbollit, dhe në emrin tim, shpreh ngushëllimet më të thella ndaj familjes së Fadil Vokrrit”, ka thënë Infantino, transmeton Koha.net.

“Ka qenë pionier në shumë mënyra; duke arritur karrierë të madhe ndërkombëtare, duke luajtur në klube të ndryshme dhe në liga të niveleve të ndryshme në një kohë kur nuk ishte kaq e zakonshme si sot. E po ashtu duke shtruar themelet për njohjen e Kosovës si anëtar i FIFA-s”.

“Kjo kërkon energji të jashtëzakonshme, besim dhe forcë bindjeje. Fadili i kishte të gjitha këto, ishte tip i këtillë: një shembull i entuziazmit dhe përkushtimit dhe një lider i madh të cilin jam krenar që e njoha dhe punova me të”, deklaroi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Ish-lojtari i Prishtinës, i Partizanit të Beogradit, Nimesit të Francës e Fenerbahces së Turqisë, ka luajtur edhe në nivelin ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në të ’80-at dhe u shpall lojtari i vitit më 1987.

I lindur në Prishtinë, Vokrri nisi karrierën prej futbollisti sulmues në vendlindje ku siguroi reputacionin e një prej lojtarëve më të mirë që doli nga Ballkani.

Trashëgimia e tij vazhdoi më vonë duke drejtuar FFK-në në kohën kur Kosova u bë anëtari i 210 i FIFA-s më 2016, në Kongresin e 66-të të FIFA-s.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here