Xhaferi uron 7 Marsin: Nuk guxojmë të dorëzohemi, nuk guxojmë të ndërpresim hallkën e transmetimit të dijenisë

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, me rastin e 7 Marsit ka shprehur urimin e tij nëpërmjet një kumtese. Xhaferi shkruan se profesioni i mësuesit është me rëndësi të madhe në zhvillimin e gjeneratave të reja.

“Më lejoni që në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal të drejtoj urime të sinqerta me rastin e Ditës së Mësuesit – 7 Marsi, ditës kur është hapur mësonjëtorja e parë në gjuhën shqipe në Korçë. Që ka qenë fitore e madhe në ngritjen intelektuale të popullit shqiptar, kudo që ka jetuar”.

“Uroj që ky profesion dhe mision fisnik i Juaj, që është me rëndësi pa masë për ardhmërinë e fëmijëve tanë, për ardhmërinë e vendit tonë dhe përparimin e botës në përgjithësi, t’ju udhëheqë dhe motivojë nëpër sfidat e shumta që i sjell çdo ditë e re. Rëndësia e Juaj për rritjen dhe zhvillimin e drejtë të gjeneratave të reja është shumë më e madhe se vështirësitë me të cilat ballafaqohemi viteve të fundit të gjithë, punonjësit arsimorë, nxënësit dhe prindërit, por, nuk guxojmë të dorëzohemi, nuk guxojmë të ndërpresim hallkën e transmetimit të dijenisë”.

“Dituria është motori që e çon përpara njerëzimin dhe botën dhe ai lum doemos të rrjedhë vazhdimisht dhe të derdhet në fëmijët tanë. Kjo ditë, a edhe 5 Tetori, që është Dita botërore e mësuesit, e përcaktuar nga UNESKO-ja, në fakt janë kremtimi dhe nderimi i përkushtimit Tuaj për ndriçimin e rrugës dhe mendjes së të rinjve tanë të cilëve ua besojmë ardhmërinë e vendit dhe botës. Dhe, andaj, paçi jetë e shëndet, jeni përplot energji dhe kreativitet në gjetjen e mënyrave më të ndryshme që zëri Juaj, dituria Juaj të mbërrijë te qëllimi i dëshiruar dhe ti japë frutat e dëshiruar, gjenerata intelektualisht të ngritura me të cilat do të jemi krenarë edhe ne si prindër, edhe Ju si punonjës arsimorë”, ka shkruar Xhaferi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu