Zaev insiston: Zgjedhjet, jo më herët se në tetor të 2020-s

VMRO-DPMNE do të insistoj për zgjedhje të parakohshme parlamentare edhe në takimin e sontëm të kryeministrit Zoran Zaev me Hristijan Mickoskin. Nga opozita maqedonase thonë se për të çdo datë është e pranueshme ndërsa shprehen të bindur për fitore dhe ndërrimin e pushtetit. Ndërsa kryeministri Zoran Zaev thotë se opozita ka legjitimitet të kërkojë zgjedhje në çdo kohë, por me rëndësi është data për hapjen e negociatave me BE-në.

“Për ne është e pranueshme çdo datë dhe atë që prej nesër të shpallen zgjedhjet. Sot, Zoran Zaev do të ketë kohë të mendohet dhe prej nesër ti thotë shumicës parlamentare se do të shpall zgjedhje. Për ne është e pranueshme çdo datë duke filluar prej nesër” – tha Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.

“Mendojmë se tani është koha pozitive, e papërsëritshme për vendin tonë, presim datën fillimin për negociata, anëtarësimin e plotë në NATO. Duhet ti japim mundësi shtetit të së drejtës edhe ekonomisë mbi të gjitha. Andaj them se duhet të shkojmë deri në fund të mandatit” – u shpreh Zoran Zaev, kryeministër.

Nga BDI dhe Alternativa mbështesin qëndrimin e kryeministrit Zoran Zaev se fillimisht duhet ti jepet përparësi anëtarësimit të plot të vendit në NATO dhe zbatimit të plotë të marrëveshjes së Prespës dhe më pas të shkohet në zgjedhje parlamentare.

Por, nga opozita shqiptare, vlerësojnë se Zoran Zaev dhe Hristijan Mickovski nuk mund të vendosin edhe në emër të shqiptarëve dhe se tryeza e përbashkët do të krijonte mundësi për konsensus.

“Ne shtrojmë dilemën se kush mund ti përfaqësojë qytetarët shqiptarë në atë takim, të flas në emër të tyre për zgjedhjet parlamentare. Apo supozojmë nëse flitet edhe për çështjen e regjistrimit të popullatës, mund të ketë edhe konstatime të ndryshme se një takim i mbylltë nuk i ndihmon procesit politik. Në gjithë këtë proces është e çuditshme edhe heshtja e faktorit politik shqiptar BDI e cila si gjithmonë tregohet e nënshtruar karshi proceseve politike” – theksoi Flakron Bexheti, ASH.

“Ne jemi partia e vetme që prej në kohën e referendumit dhe deri më sot i kemi përsëritur rregullisht se shteti po hyn në një krizë të një pas njëshme dhe patjetër duhet që të mbahen zgjedhjet e parakohshme që të kristalizohet skena politike aq më tepër në kampin politik shqiptar që të mundet të vijnë forcat e reja politike për ti mbartur përgjegjësitë mbi vete” -deklaroi Arjanit Hoxha, Lëvizja BESA.

Zgjedhjet e rregullta parlamentare duhet të mbahen në javën e parë të dhjetorit, por kryeministri nuk e ka përjashtuar mundësinë që ato të mbahen dy muaj më herët, pra në tetor. Sipas ligjit për qeverinë, 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve duhet të formohet qeveri teknike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu