Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë deklarata të forta nga Shtëpia e Bardhë lidhur me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara janë drejt përfundimit të operacioneve ushtarake ndaj Iranit, shkruan InfoShqip.
Gjatë një prononcimi për mediat, Trump u shpreh se SHBA-të “do të largohen nga Irani shumë shpejt”, duke shtuar se veprimet ushtarake mund të përmbyllen brenda një periudhe të shkurtër, prej “dy ose tre javësh”.
Ai deklaroi se objektivat kryesore të vendosura para nisjes së sulmeve ajrore, të kryera në bashkëpunim me Izraelin në fund të muajit të kaluar, janë arritur. Sipas tij, qëllimi për të kufizuar aftësinë e Iranit për zhvillimin e një arme bërthamore tashmë është përmbushur, ndërsa SHBA-të ndodhen në fazën përfundimtare të operacionit.
Në vijim, presidenti amerikan theksoi se SHBA-të kanë epërsi të plotë në hapësirën ajrore iraniane. Ai shkoi edhe më tej, duke pretenduar se në Iran ka ndodhur një ndryshim regjimi pas eliminimit të disa figurave të rëndësishme politike dhe ushtarake. Trump i përshkroi drejtuesit e rinj në Teheran si “më pak të radikalizuar” dhe “më racionalë” krahasuar me ata të mëparshmit, transmeton InfoShqip.
Po ashtu, ai deklaroi se udhëheqësit iranianë janë duke kërkuar një marrëveshje me SHBA-në për t’i dhënë fund konfliktit, ndonëse ky pretendim është mohuar më herët nga pala iraniane.
Trump theksoi se lufta mund të përfundojë edhe pa një marrëveshje të ndërmjetësuar mes palëve, duke lënë të hapur mundësinë e një tërheqjeje të njëanshme nga ana e SHBA-së.
Sa i përket ndikimit të konfliktit në ekonominë globale, veçanërisht në çmimet e karburanteve, presidenti amerikan u shpreh optimist, duke deklaruar se ato pritet të bien sapo të përfundojnë operacionet ushtarake.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment të tensionuar në rajon, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe pasojat e mundshme të këtij konflikti. /InfoShqip.com










