Mourinho zbulon sekretin pse Bayern, Barcelona, Juventus dhe Real janë gjithnjë në çerekfinale

Jose Mourinho ka përfunduar në qendër të sulmeve mediatike nga opinion sportiv, por edhe tifozët e Manchester Unitedit, pas eliminimit nga Champions League të martën në mbrëmje, nga spanjollët e Sevillas.

“Unë u them tifozëve që kanë të gjithë të drejtën të thonë opinionin e tyre dhe të reagojnë, por dua edhe t’ju kujtoj diçka që quhet trashëgimi e futbollit”, tha Mourinho, përpara se të vijonte me një monolog 12 minuta të gjatë, pa u ndërprerë nga askush.

“Nuk mendoj se është e drejtë të sulmohem, pasi trofeu im i fundit është marrë para 10 muajsh, për më tepër, kemi mposhtur Chelsean, Liverpoolin, etj., dhe eliminimi nga Sevilla tani shikohet si dramë.

Unë jam i bindur për punën e bërë te United, ashtu siç jam i bindur se duhet të punoj edhe shumë më tepër, për të çuar ekipin në vendin që i takon.

Mos harroni se mora një klub që vinte pas dështimesh nga sezoni në sezon dhe në 7 vitet e fundit kishte arritur vetëm një herë në çerekfinale.

Trashëgimia në futboll është diçka e rëndësishme, për të shkuar te suksesi dhe unë nuk trashëgova një skuadër të ‘shëndetshme’.

Nuk është rastësi që Bayern Munchen, Barcelona, Juventus dhe Real Madrid, janë gjithmonë në çerekfinalet e Championsit. Këto klube punojnë me një projekt afatgjatë dhe kanë arritur të krijojnë tashmë traditën e tyre të të luajturit.

Unë jam në sezonin tim të dytë dhe mendoj se diçka kam ndërtuar, por e di se duhet ende kohë, për të ndërtuar një Manchester fitues, të aftë të përballet me këdo”, deklaroi Jose Mourinho.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu