Bora paralizon këto qytete në Maqedoni (VIDEO)

Makina dhe mauna të bllokuar, kolona të gjata të automjeteve, kjo ishte pamja e sotme në qafën Bukovo. Të reshurat e dendura të borës që u intensifikuan në orët e pasditës tërësisht e bllokuan qarkullimin në rrugën Ohër- Resnjë.

Udhëtarët që u bllokuan me automjetet e tyre, të revoltuar nga gjendja e rrugëve, na dërguan video incizime dhe fotografi ku shihet se “Rrugët e Maqedonisë” aspak nuk ka intervenuar në këtë pjesë. Sipas informatave të fundit nga policia, qarkullimi është normalizuar, por ende në fuqi është ndalesa për qarkullimin e automjeteve të rënda transportuese në këtë aks. Bora e ka bllokuar edhe Strugën dhe rrethinën e saj. Në qytet kanë rënë 20 cm borë.

Autoritetet lokale të Strugës thonë se kanë intervenuar në çarshinë e qytetit dhe në shëtitoren e lumit Drin, por pastrimi është i vështirë për shkak të borës së madhe. Ndryshe, mot i njëjtë mbizotëron në mbarë vendin. Më shumë borë ka në Mavrovë ku trashësia ka kaluar 50 centimetra.

 


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu