Dhunohen sërish të akuzuarit e rastit “Kumanova”

Vazhdon dhuna ndaj pjesëtarëve të grupit të Kumanovës. Kësaj radhe viktimë e dhunës fizike dhe psikike ka qenë i akuzuari Valdet Zekaj.
Pala mbrojtëse akuzon Prokurorinë se përkundër denoncimeve, nuk po merren masa për parandalimin e dhunës.

Avokati Mefail Arsllani thekson nevojën e bojkotimit të seancave gjyqësore në rast se vazhdon dhuna ndaj të akuzuarve, raporton Alsat.

“Duhet ta cekë që në seancën e kaluar, pas një kohe vazhdojnë maltretimit ndaj grupit, konkretisht ndaj klientit tim Valdet Zekaj.

Për rastin e njoftuam edhe trupin gjykues edhe prokurorinë, duke kërkuar që në të ardhmen të merren masa dhe ndërpritet kjo dhunë e cila bëhet ndaj pjesëtarëve të grupit të Kumanovës”, deklaroi avokati Mefail Arsllani.

Arsllani akuzon edhe mjekët të cilët bëjnë kontrolle mjekësore kur denoncohet dhuna ndaj grupit të Kumanovës.

“Ata mjekë që vijnë dhe i konstatojnë lëndimet trupore nuk janë mjekë përkatës, që munden me një kontroll ose matjen e tensionit të konstatojnë lëndime trupore apo dhunë psikike”, tha Arsllani.

Ministri i brendshëm Oliver Spasovski, i pyetur rreth keqtrajtimit të grupit të Kumanovës, tha se Kontrolli i Brendshëm pranë MPB-së ka vlerësuar se ndaj të akuzuarve nuk është ushtruar dhunë.

Nga ana tjetër ministri i Drejtësisë Valdet Xhaferi nuk ka informata për dhunë të re të ushtruar ndaj grupit të Kumanovës.

Të akuzuarit për rastin e Kumanovës tashmë disa herë janë keqtrajtuar nga policia. Pavarësisht kërkesave të mbrojtjes, deri më tani nuk është zbardhur asnjë rast./albeu.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu