Takimi i Fatos Nanos me Millosheviçin në Kretë, e vërteta e takimit dhe çfarë u bisedua

Samiti i Kretës i Nëntorit të vitit 1997 mes përfaqësuesve të shteteve Ballkanike në qytetin Iraklio, ku pati dhe një përballje mes kryeministrit të Shqipërisë Fatos Nano dhe Presidentit të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, e cila vazhdoi me një takim kokë më kokë mes këyre dyve, u komentua gjërë e gjatë dhe hapi një polemikë të madhe, jehona e së cilës edhe sot interpretohet në mënyra të ndryshme.

Por çfarë në të vërtetë ndodhi në atë takim, si u takuan dhe çfarë biseduan? InfoShqip sjell fakte dhe detaje të shumta të atij takimi, dëshmi të protagonistit të asaj ngjarjeje, Paskal Milos, në pozitën e ministrit të jashtëm dhe shoqërues i Fatos Nanos, shkruan InfoShqip.

“Pas përfundimit të drekës mes përfaqësuesve diplomatikë dhe krerëve shtetërorë, në të dalë të restorantit në hollin e hotelit u ndodhëm përballë Millosheviçit. Një takim në dukje i rastit. I dhamë dorën, ndërkohë që fotoreporterët bënë punën e tyre. Ky shytrëngim duarsh zgjidhi gjithçka. Nano i propozoi Millosheviçit që të takoheshin kokë më kokë. Millosheviçi pranoi.

Në moment e ndjeva që Nano bëri gabim që vendosi të takohej vetëm. Ai e dinte klimën në të cilën zhvillohej takimi, dhe për të larguar një pjesë të dyshimeve, apo edhe të akuzave të padrejta që po bëheshin me bollëk duhej të ishte treguar më i kujdesshëm. Duke zbritur shkallët për në dhomat tona, i thashë Nanos se do të ishte mirë që të mos shkonte vetëm në takim dhe të takoheshim në rang delegacionesh. Nano mu përgjigj: “Nuk ka gjë, le të më akuzojnë mua si tradhtar!”.

Takimi filloi në një nga dhomat e përgatitura enkas në katin e dytë të hotelit. Nano dhe Millosheviçi u ulën në kolltukë përballë njëri-tjetrit. Unë me Milutinoviçin mbetëm prapa derës dhe biseduam rreth një orë. Takimi zgjati rreth një orë e gjysmë nga 19:30-21:00, kur ishte parashikuar vetëm treçerek ore. Presidenti i Maqedonisë, Kiro Gligorov, me të cilin kishim takimin tjetër, u detyrua të priste rreth një orë. Për të mos shkaktuar ndonjë incident, unë shkova dhe bisedova vetë me Gligorovin dhe ministrin e Jashtëm Hanxhinskin.

Takimi Nano-Millosheviç ishte i pari që bëhej pas 51 vitesh që prej qershorit 1946, kur në Beograd ishin takuar zyrtarisht Enver Hoxha me Titon. Takimi duhej bërë dhe ishte i dobishëm. Ne u treguam pa komplekse dhe qeveritë evropiane dhe ajo amerikane na mbështetën. Por ende pa mbaruar takimi, madje para tij, pati reagime në Kosovë e Shqipëri”. E mbyll rrëfimin në ditarin e tij për këtë takim Paskal Milo./InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu