37 vite nga rënia e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës

Shkruan: Ylldrit Bomova

Plot 37 vite u mbushën sot nga vrasja e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës nga shërbimet sekrete të ish-Jugosllavisë, tre heronj të mëdhenj dhe të pazëvendësueshëm të shqiptarëve të cilët ishin promotorët dhe nxitësit më të mëdhenj të një Lëvizje studentore të shqiptarëve në Jugosllavi, lëvizje ku përfshiu dhjetra mijëra të rinj shqiptarë që zgjati me dekada duke kulmuar me luftën çlirimtare në Kosovë dhe Maqedoni.

Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka e nisën aktivitetin e tyre patriotik që në fundin e viteve 70′-të në Kosovë, ku krijuan organizata dhe grupe të rinjsh që filluan të punojnë dhe veprojnë për vetëdijësimin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, nisma e tyre filloi të pikaset nga shërbimet jugosllave të atëhershme me çka ata u larguan nga Kosova për të vijuar me aktivitetin e tyre nga Gjermania dhe Zvicra.

Ata botuan revista si “Lajmëtari i lirisë”, “Bashkimi”, si dhe shume materiale tjera me të cilat furnizonin dhe mbanin gjallë vrullin rinor që kishte ndezur Prishtinën, Kosovën dhe Maqedoninë në marsin e vitit 1981, ngjarje në të cilat rinia shqiptare u dha dimension tjetër kërkesave thelbësore kombëtare, ata ngjarje jehuan në gjithë botën dhe dridhën themelet e Jugosllavisë së atëhershme, marsi i vitit 1981 në historinë tonë do mbahet mend si fillimi i lavdishëm i një përpjekje të gjatë për liri dhe pavarësi ku ndër kontributdhënësit më të çmuar dhe më të dalluar padyshim renditen vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Ish Jugosllavia u mundua me të gjitha mënyrat të shuante lëvizjen studentore, burgosi me qindra studente, plagosi dhe vrau me dhjetra të tjerë, shërbimet jugosllave aritën të gjejnë vendndodhjen në Gjermani nga ku vepronin dhe koordinonin grupet ilegale në Kosovë vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka dhe në mbrëmjen e 17 janarit të vitit 1982 i vrau pabesisht në një pritë poshtë apartamentit të tyre.

Vrasja e tyre preku çdo shqiptar, që nga ajo ditë, të gjitha organizatat ilegale shqiptare në Kosovë u bashkuan në një dhe të vetme organizatë – LPK, Lëvizja Popullore e Kosovës. “Tre ranë me mijëra u ngritën” ishte titulli i gazetave të asaj kohe që më së miri përshkruan atmosferën në ditën e rënies së tre heronjve.

Vepra dhe figura e tyre do ngelet e paharuar në kujtesën e kombit tonë, ata ishin nismëtarët e parë dhe ndër më meritorët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, i përjetshëm qoftë kujtimi për to.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu