Kreu i BDI-së nuk tërhiqet. Zekiri dhe Trajanov thonë se Ahmeti po nxit nacionalizëm (VIDEO)

Muhamed Zeqiri i LSDM-së dhe Pavle Trajanov nga Lidhja Demokratike iu përgjigjën deklaratës së Ali Ahmetit, i cili mbrëmë në tubimin e BDI-së, pyeti  publikisht se ku kanë qenë këto parti me koncept qytetar që ti ndihmojnë shqiptarët 15 vite më parë.

Zekiri nga Lidhja Social Demokrate thotë se deklarata e tilla nacionaliste të Ahmetit janë rezultat i frikës që e ka kapluar.

“E ka kapluar frika sepse votuesit e dinë se çfarë ka bërë Ali Ahmeti këto 15 vite duke qenë në pushtet, dhe ende është. Pikërisht për shkak të asaj frike, ai del  dhe jep një deklaratë të tillë nacionaliste duke menduar se sërish do t’ju shet shqiptarëve patriotizëm dhe do ti gënjej se ai ka kapacitet ti anëtarësoj në NATO”, tha Zekiri. 

Nga ana e tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov tha se qytetarët janë vetëdijesuar, dhe se me nacionalizëm më nuk mund të fitohen vota.

“Të gjithë ata edhe më tutje mendojnë se me nacionalizëm dhe me ekstremizëm mund të fitojnë vota, po e gënjejnë vetën. Qytetarët janë vendosur për demokraci , për paqe dhe bashkëjetesë. Dhe kush përpilon platformë që mbështetet në këto parime do të fitojnë mbështetjen. Koha e Ahmetit dhe të atyre që angazhohen për ekstremizëm kaloi”, tha ai.

Por Ahmeti megjithatë qëndron në deklaratën e tij që e dha mbrëmë.

“Mendoj që zoti Trajanov ka pasur mundësinë e tij sepse është një politikan i kahershëm, ka vite të tëra në politik, që në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, administrator i lartë i shtetit dhe pjesëmarrës në shumë organizime anti-shqiptare. Kështu që është i vonuar me këto ide dhe këto ide u takojnë njerëzve që dinë të ndërtojnë vizion, ardhmëri  dhe histori, e jo zotit Trajanov”, tha Ahmeti.

Gjatë tubimit në mbrëmshëm në Çair, kreu i BDI-së Ali Ahmeti theksoi se tani nuk është koha për parti që kanë koncept qytetar, kurse pyeti LSDM-në se ku kanë qenë para 15 viteve kur janë gjakosur shqiptarët.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu